“Regjistrimi, skenar i përgatitur nga Gruevski”
Organizata e Veteranëve të Luftës te UÇK-së, ka shprehur shqetësimin e thellë për regjistrimin e popullsisë, veçanërisht pas dorëheqjes së anëtarëve shqiptarë në KSHR.

“Ne jemi të indinjuar nga informatat që na kanë arritur nga terreni, përkatësisht nga anëtarët tanë të përfshirë drejtpërdrejtë në këtë proces si regjistrues, të cilët konfirmojnë se nuk ka zbatim të rregullores. Konkretisht, është anashkaluar obligimi që trajnimi i regjistruesve të jetë edhe në gjuhën shqipe, qëllimisht është komplikuar formulari regjistrues, nuk është bërë informimi në kohë i qytetarëve shqiptarë për mënyrën e zbatimit të regjistrimit si dhe nuk është zgjidhur dilema rreth regjistrimit të shqiptarëve që punojnë jashtë Maqedonisë”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës në Maqedoni, Besim Hoda deklaroi se, të gjitha paqartësitë e lartpërmendura shtojnë dyshimin rreth mbarëvajtjes së këtij procesi shumë të rëndësishëm, jo vetëm statistikor, për shqiptarët pasi ka edhe aspektin kombëtar që e determinon Marrëveshja e Ohrit, raportoi INA.

“Ne jemi thellësisht të bindur se kjo mjegull dhe pasiguri, që po krijohet në prag të regjistrimit, është vetëm një skenar i radhës i Nikolla Gruevskit dhe klikës së tij, i tipit të enciklopedisë, kishës në Kala, Shkupit 2014 etj., që ka për qëllim zvogëlimin e përqindjes së shqiptarëve me qëllim të demotivimit të tyre për të kërkuar të drejtat kombëtare, ekonomike dhe kulturore. Me zvogëlimin artificial të përqindjes së shqiptarëve, nacionalistët maqedonas të udhëhequr nga kryeministri Gruevski tentojnë të demoralizojnë dhe defaktorizojnë për një kohë më të gjatë potencialin e fuqisë numerike dhe politike të shqiptarëve në këtë shtet, duke i siguruar vetes dhe klikës së tij komoditet dhe vazhdimësi në pushtetin absolut të tipit mesjetar, të cilin e ushtron që nga viti 2006, ” theksoi Hoda. /albeu.com/
Shtuar më 01/10/2011, ora 20:09
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori