Regjistrimi në Maqedoni, s'lejohen ekspertët shqiptarë
Mbi 14 mijë kandidatë maqedonas dhe vetëm 600 shqiptarë janë paraqitur dje në testimet e para për zgjedhjen e regjistruesve lokal për regjistrimin e popullsisë. Kjo ka ndikuar pasi që anëtarët shqiptarë të Komisionit Shtetëror të Regjistrimit (KSHR) po bojkotojnë këtë komision dhe kanë shprehur mospajtime lidhur me përfaqësimin e regjistruesve lokal.

Përfaqësuesit shqiptarë në KSHR kanë theksuar se kjo shifër tregon se mosmarrëveshjet e fundit brenda KSHR-së ka ndikuar që kandidatët shqiptarë të mos paraqiten në testimet e djeshme.

Në 83 shkolla fillore dhe të mesme në të gjitha komunat e vendit u mbajt testimi ku morën pjesë rreth 16.500 kandidatë që kanë aplikuar në konkursin publik për pjesëmarrje në komisionet rajonale të regjistrimit, si regjistrues rajonal dhe instruktorë rajonal.

Kryetarja e KSHR-së, Vesna Janevska theksoi se do të shpallet konkurs plotësues për të plotësuar vendet e regjistruesve nga komuniteti shqiptar, por edhe komunitetet tjera.

Ajo nënvizoi se është në kontakt me zëvendës-kryetarin e KSHR-së, Abdylmenaf Bexheti dhe anëtarët e tjerë shqiptarë dhe turq që po bojkotojnë komisionin, për shkak të numrit të regjistruesve nëpër komuna.

Përfaqësuesit shqiptarë kërkojnë që në vendbanimet shqiptare shumica e regjistruesve të jenë shqiptarë dhe jo maqedonas, ashtu siç pretendojnë anëtarët maqedonas, të cilët kërkojnë që regjistruesit shqiptarë të përfaqësohen me 25 për qind edhe në komunat ku janë shumicë.

Qeveria e Maqedonisë nuk ka marrë ndonjë vendim të ri për shtyerjen e regjistrimit, edhe përkundër paralajmërimeve se kjo do të ndodhë për shkak të zgjedhjeve të parakohshme. Regjistrimi i popullsisë do të mbahet prej 1 deri më 15 prill të këtij viti. (ina)
Shtuar më 06/03/2011, ora 12:11

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori