RDK: Urgjentisht duhet formuar qeveri ekspertësh ose të zgjeruar
Rilindja Demokratike Kombëtare që në fillim të krizës theksoi se vendi ndodhet para një kaosi të vërtetë dhe ky kaos çdo ditë është duke u thelluar edhe më tepër, duke pasur parasysh obstruksionet e njëpasnjëshme që i bëhen marrëveshjes së Përzhinës. Rajoni i Ballkanit nuk është aspak imun nga një çrregullim i gjithanshëm me qeverisje të ndryshme jostabile, me kosto të lartë për tërë Ballkanin në përgjithësi.

Nëse kësaj ia shtojmë edhe krizën e refugjatëve që e ka kapluar Ballkanin në përgjithësi, atëherë mund të kuptojmë lirisht urgjencën e formimit sa më të shpejtë të një qeverie ekspertësh ose të zgjeruar për shkak të zbrazëtirave të mëdha që janë krijuar në shumë institucione të vendit”, thuhet ne kumtesën e RDK-së.

Ata shtojnë se Maqedonia aktuale karakterizohet me qeverisje të papërgjegjshme dhe jostabile të përmasave gjigande me kosto të lartë për sigurinë e vendit. Për këtë arsye, komuniteti ndërkombëtarë, në veçanti ai amerikan, duhet urgjentisht të insistojë për një qeveri ekspertësh ose të zgjeruar që ta stabilizojë shtetin para valës së kaosit që është duke e kapluar Ballkanin në përgjithësi.

“Kriza në vend ka krijuar zbrazëtira të mëdha institucionale dhe për këtë arsye të gjithë duhet maksimalisht të angazhohemi për t’u ballafaquar me sfidat e përplasjeve të mëdha. Ardhja e Viktoria Nulland në vend duhet maksimalisht të shërbejë për përcjelljen e mesazhit të qartë në drejtim të formimit të një qeverie të kësaj natyre që do të respektoj fuqishëm marrëveshjen e Përzhinës dhe rekomandimet e Raportit të Pribes. Kjo qeveri do të duhet të përgatit vendin rreth organizimit të zgjedhjeve fer dhe demokratike në një afat sa më optimal të mundshëm”, thonë nga RDK. /albeu.com/
Shtuar më 29/06/2016, ora 15:20

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori