RDK: Shpifjet e BDI-së, frikë për humbjen në Gostivar
Rilindja Demokratike Kombëtare - dega në Gostivar reagon ndaj komunikatës së BDI-së - dega Gostivar, në të cilën përmes shpifjeve dhe keqinterpretimeve, bëhet përpjekje që të diskreditojnë personalitetin e kryetarit të RDK-së dhe Komunës së Gostivarit, Rufi Osmani.

Interpretimi i intervistës së Rufi Osmanit për emisionin “Në qendër” (TV Alsat) nga ana e BDI-së në Gostivar, është totalisht i gabuar, qoftë qëllimisht qoftë nga mosdija, ashtu siç është edhe veprimi i tyre politik në këto 10 vite veprimi. Nga shqetësimi se Rufi Osmani do të rikandidohet për kryetar komune të Gostivarit, ata kanë humbur strukturën e reagimit dhe nuk kanë arritur të kuptojë thelbin e emisionit.

Shqetësimet e BDI-së, sidomos në Gostivar, dita ditës po rriten sepse janë pikërisht ata të cilët më së miri e dinë, qoftë nga sondazhet e njëpasnjëshme që i bëjnë, qoftë nga informatat që ua sjellin aktivistët e tyre nga terreni, se Rufi Osmani do të fitojë bindshëm në Gostivar .

Qytetarët e Gostivarit e dinë më mirë se kush e çoi Komunën në prag të falimentimit ngjashëm si Greqia, se kush i la komunës 11 milion borxhe, kush prishi mbi 300 baraka dhe objekte ndërtimore, kush instaloi mafian urbane dhe kush kriminalizoi çdo pore të pushtetit qendror dhe lokal ne Gostivar duke i kërcënuar me banda dhe reketar të shumtë. Ky person është Nevzat Bejta, kandidati i BDI-së, fakt ky sa i turpshëm aq dhe imoral për një subjekt që shet demagogji për patriotizëm të rremë.

Ndaj simbolit të krimit politik - Nevzat Bejtës, komuna e Gostivarit ngriti 8 aktpadi penale me të cilat ky person duhej të jepte llogari për menaxhimin kriminal dhe dëmin që ua beri qytetarëve dhe arkës së komunës, mirëpo në një vend ku qeveris BDI-VMRO dhe ku çdo gjë është politizuar dhe kriminalizuar në vend, në vend që personi në fjalë të gjykohet, ai tash rikandidohet ngjashëm me proverbën popullore “Krimineli tenton të rikthehet në vendin e krimit”.

Është pikërisht kryetari aktual dhe i ardhshëm i Gostivarit Prof.Dr.Rufi Osmani që e bëri komunën e Gostivarit një nga komunat më të suksesshme në vend dhe rajon duke marrë Rejting Kreditor nga Agjencia Moody’s, duke paguar komplet borxhet e trashëguara në buxhetin e komunës, duke realizuar 8 milion euro investime, duke siguruar 12,5 milion euro kredi dhe grante nga institucione relevante ndërkombëtare, përkundër bllokadave permanente nga pushteti qendror me rekomandim të personit Nevzat Bejta.

Juve, patriotëve të rremë të BDI-së nga Gostivari, ju rekomandojmë të kontaktoni Institutin Europa e Bashkuar në Oksford, Bankën Botërore, KHË Bankën, SDC, Institutin Krans Montana dhe shumë institucione të tjera relevante ndërkombëtare dhe të merrni informata të sakta se Prof.Dr.Rufi Osmani është njëri nga liderët më reformator të Ballkanit Perëndimor përkundër kandidatit tuaj që nuk ka kurrfarë relevance lokale dhe rajonale, dhe kështu të mund të kthjelloni mendjet dhe sytë tuaj të kriminalizuar.

Akuzat e BDI-së për keqmenaxhimin e komunës në periudhën 2009-2012 janë qesharake, sepse pikërisht në këtë mandat komuna e Gostivarit është e dyta në Maqedoni për transparencë dhe e para për zero korrupsion. Në këtë periudhë, duke zbatuar transparencë të plotë dhe konkurrim të mirëfilltë u ulën çmimet e të gjitha investimeve kapitale për 20-30% dhe u inkuadruan mbi 10 firma të cilat direkt ose si nën-operator kryenin punë në komunën e Gostivarit, përkundër faktit që në kohën e Bejtës, në Gostivar punonin vetëm dy firma ekstreme partiake pa zbatuar asnjë procedurë të tenderimeve publike, shkelje këto që janë konstatuar edhe nga Revizioni Shtetëror.

RDK dhe TDP kanë pasur bashkëpunim korrekt katërvjeçar në komunën e Gostivarit dhe është normale që ky bashkëpunim të avancohet dhe të zgjerohet në këto zgjedhje. Ndërsa për ju të BDI-së, qe pasi ju dështoi tentimi për bashkëpunim me TDP edhe pas shumë lutjeve që i bëtë asaj partie duke filluar nga lideri juaj deri te kandidati juaj, është ironike dhe e bastarduar të akuzoni sepse ju jeni e vetmja parti shqiptare që keni degën tuaj në Shtip me komplet anëtarë maqedonas, që derguat në Bruksel për ambasador një maqedonas dhe që jeni duke i lutur dhe i korruptuar torbeshët , romët dhe shumë të tjerë, me të vetmin qëllim të ngelni në pushtet për motive dhe qëllime kriminale.

Njoftojmë opinionin e gjerë, se dega e RDK-së në Gostivar, në të ardhmen nuk do t’ju kundërpërgjigjet akuzave të pabaza që do të vijnë nga dega e BDI-së në Gostivar, sepse do të vazhdojmë të punojmë në interes të qytetarëve dhe në prag të zgjedhjeve ta promovojmë punën që kemi bërë deri më tani. Të njëjtën gjë ua preferojmë edhe atyre të BDI-së, të cilët gjykuar sipas asaj se një kohë të gjatë kanë pasur nën kontroll edhe pushtetin qendror edhe atë lokal, duhet të kenë se çka të promovojnë", thuhet në reagimin e RDK-së. /albeu.com/
Shtuar më 07/02/2013, ora 12:16

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori