RDK prish koalicionin qeverisës në komunën e Kumanovës
Rilindja Demokratike Kombëtare informon përmes një komunikate se e ka prishur koalicionin qeverisës në nivel komunal në Kumanovë.

Kjo parti ishte pjesë e koalicionit qeverisës komunal vetëm me një këshilltar, bashkë me Lidhjen Social Demokrate (LSDM) dhe Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI).

RDK si pjesë e koalicionimit i kishte dhënë përkrahje kryetarit aktual Zoran Damjanovski, por duke synuar që të marrë poste udhëheqëse në disa institucione si dhe punësime në administratën dhe ndërmarrjet komunale.

Vendimi për prishjen e koalicioni u bë i ditur dje pasi këshilltari i RDK-së Zenun Ismaili, votoi kundër miratimit të raportit të kuartalit të katërt buxhetor për vitin 2013.

Në komunikatën e RDK-së, theksohet se menjëherë pas një koordinimi është arritur “marrëveshje” mes LSDM-së dhe BDI-së me VMRO-në dhe në pikat e tjera të rendit të ditës, këshilltarët e VMRO-së, kanë votuar pro propozimeve të LSDM-së dhe BDI-së duke mundësuar miratimin e tyre.

"Me këtë u dëshmua edhe një herë se politikat e partive maqedonase janë antishqiptare edhe në çështje me interes lokal. Ajo që befason në këtë rast është BDI e cila e ndodhur në gërshërë mes koalcionit qendror me VMRO-në dhe koalcionit lokal me LSDM-në luan rolin e ”amortizatorit politik” në dëm të interesit shqiptarë, ku shfryhen epshet nacionaliste të dy ekstremeve maqedonase.

Vlen të përmendet se VMRO deri më tani asnjëherë nuk ka votuar pro asnjëres nga pikat e tilla të diskutuara në Këshillin e Komunës së Kumanovës, që don të thotë se gjithnjë ka votuar kundër madje ka pasur seanca me debate shumë të ashpra kundër LSDM-së", thuhet në komunikatën e RDK-së.

Dega e RDK-së në Kumanovë do të vazhdojë në rrugën e saj drejt qëllimit të arritjes së realizimit të projekteve kapitale në lagjet e banuara me shqiptarë dhe në përfaqësimin adekuat të shqiptarëve në të gjitha instancat si në kulturë, arsim, sport dhe lëmi tjera.

Këshilltari i RDK do të vazhdojë të votojë kundër koalicionit, në këtë mënyrë do të vihet në pikëpyetje funksionimi normal i Këshillit të Komunës së Kumanovës. /albeu.com/
Shtuar më 14/02/2014, ora 13:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori