RDK: Ja pse nuk bashkëpunojmë me Cërvenkovskin
Rilindja Demokratike Kombëtarë ka bërë të ditur sot qëndrimin e saj lidhur me idenë e kreut social-demokrat, Branko Cervenkovski, për një front opozitar ku do të përfshiheshin dhe partitë shqiptare.

Përmes një njoftimi të arritur në redaksinë e Portalit Albeu, thuhet se pa përmirësuar statusin juridik dhe gjendjen reale të shqiptarëve, ndërrimi i kryeministrit dhe qeverisë është i barasvlershëm me zero, ndaj jep kushtet e saj për një bashkëpunim eventual.

“RDK vlerëson se këto janë çështje të politikave partiake të LSDM-së për ta forcuar pozitën e vet në skenën politike. Në parim, megjithëse RDK nuk është kundër bashkëpunimeve ndërpartiake, ajo është e mendimit se një front i tillë në opozitë, si front i përbashkët mes partive maqedonase dhe atyre shqiptare është i pamundur, pos të tjerash, edhe për shkak të ndryshimeve të mëdha në qëndrime për çështje kardinale që kanë të bëjnë me shqiptarët”, thuhet në komunikatën e shkruar të RDK-së.

“Rilindja Demokratike Kombëtare i rekomandon LSDM-së që paraprakisht të heq dorë nga retorikat nacionaliste për të rritur rejtingun e saj në popullatën maqedonase, duke kundërshtuar edhe ato pak thërrime që VMRO-ja i hedh BDI-së, brenda koalicionit të tyre.

Vlen të përmendim këtu deformimin e 100 vjetorit të formimit të shtetit shqiptar, në 100 vjetor të flamurit shqiptar, kur dihet botërisht se flamuri shqiptar daton shumë kohë më parë dhe është përdorur edhe nga Skënderbeu.

RDK nuk mbështet forma bashkëpunimi që nuk janë të afta të ndryshojnë as pesë emra shkollash dhe që mundohen të mbulohen me arsyetimet qesharake për marrjen me prioritet të shqiptarëve për më shumë se një dekadë, pa mbyllur asnjë çështje konkrete”, thonë më tej nga RDK. /albeu.com/
Shtuar më 02/04/2012, ora 12:13

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori