Rasti Thaçi, Athina: Para ligjit të gjithë të barabartë
Zyra Ndërlidhëse Greke në Shkup ka reaguar ndaj letrës publike të kreut të PDSH-së, Menduh Thaçi, drejtuar kryeministrit grek, Andonis Samaras, në të cilën ai ka denoncuar moslejimin e tij për të hyrë në Greqi nga ana e Policisë greke.

"Z. Thaçi duhet të kuptojë se në Greqi, para ligjit janë të gjithë të barabartë dhe se ai duhet të zbatohet. Lidhur me pohimet e tjera, përgjigjen ai mund ta gjejë tek qindra mijëra shqiptarë, të cilët punojnë dhe prosperojnë në Greqi", thuhet në reagimin e Zyrës Ndërlidhëse Greke, njofton Zhurnal.

Në letrën e tij të hapur, Thaçi ka akuzuar Athinën për sjellje antidemokratike dhe antishqiptare, ndërsa ka risjellë në vëmendje edhe rastin e bllokimit të gazetarit shqiptar të Top Channel, Marin Mema në pikën kufitare të Kakavijës.

Lideri i PDSH-së po kthehej nga Ankaraja ku mori pjesë në Kongresin e AKP-së, me ftesë të kryetarit të saj dhe kryeministrit të Turqisë, Recep Tayipp Erdogan, kur u bllokua nga Policia greke me arsyetimin se shoferi që ngiste makinën e tij, nuk posedonte patentë shoferi ndërkombëtare. /albeu.com/
Shtuar më 10/10/2012, ora 10:41

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori