Rasti "Smillkovc", a abuzuan mediat?
Mediat në vend kanë raportuar në mënyrë jo profesionale, madje edhe duke ngritur tensione ndëretnike dhe fetare, por edhe duke bërë paragjykime. Këtë e bën të ditur raporti i analizës të bërë nga Instituti Maqedonas për Media (IMM) lidhur me vrasjen e pesëfishtë në Smillkovc, raporton Zhurnal.

Me këtë rast ky Institut ngriti edhe debatin në të cilin merrnin pjesë përfaqësues të mediave të ndryshme në vend të cilët folën për mendimet e tyre lidhur me njoftimet në tërësi të kësaj ngjarje deri më ditët e sotme, për mangësitë gjatë informimit por edhe për arsyet pse kanë vepruar në atë mënyrë.

Në fjalimin e tij kryeredaktori i televizionit "Alfa", Zoran Ivanov, duke nënvizuar se profesioni i gazetarisë në Maqedoni ka shënuar rënie tepër të madhe në aspektin e informimit profesional pasi mediat dhe të punësuarit në to janë nën presionin e pushtetarëve.

Si shembull ai mori RTVM-në e cila si media publike duhet të jetë më i balancuar dhe të punoj në interes të gjithë qytetarëve.

Ndërsa kryeredaktori i televizionit "Alsat-M", Muhamed Zeqiri, tha se mediat në vend kanë kontribuar edhe në uljen e tensioneve, ndërsa vetë ministria e Punëve të Brendshme ka qenë jo profesionale pasi me deklaratat e saj ka shkelur rregullat që ajo e ka për detyrë ti mbrojnë.

Ndërkohë, gazetari Mefail Ismaili nga "Zhurnal" deklaroi se informimi i mediave në vend gjithmonë bazohet vetëm në atë që institucionet deklarojnë, por në asnjë rast nuk kanë marrë masa për të hetuar dhe konfirmuar se sa reale informatat e institucioneve, ndërsa në ngjarjet të cilat kanë pasur karakter ndëretnik, mediat në gjuhën maqedonase gjithmonë kanë heshtur ose janë përpjekur të zbusin incidentet ku shqiptarët kanë qënë viktima. /albeu.com/
Shtuar më 29/05/2012, ora 17:43

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori