“Aventura” që përfundoi në tragjedi, 14-vjeçari e kishte marrë makinën pa lejen e prindërve, si ndodhi aksidenti në Lezhë

Një ngjarje e rëndë ndodhi paditen e sotme ku një 63-vjeçar humbi jetën si pasojë e një aksidenti automobilistik.

Frrok Lika ishte  duke drejtuar një motomjet dhe dyshohet se i ka  prerë rrugën automjetit që ishte duke u drejtuar nga një 14-vjeçar.

Ky i fundit, i cili drejtonte një mjet tip fouristradë, ka qenë me shpejtësi tej normave të lejuara dhe në momentin që ka parë motorin ka tentuar  ta shmangë duke përfunduar në një parcelë.

Dyshohet se i mituri e kishte marrë makinën pa lejen e prindërve, duke përfituar  nga rasti që babai nuk ishte në shtëpi, ndërsa e ëma nuk e kishte kuptuar që kishte marrë çelësat.

Njoftimi i policisë:

Lezhë/Informacion paraprak

Rreth orës 15:30, në rrugën dytësore që lidh fshatin Manati me Barbullojë e Re, shtetasi i mitur P. M. 14 vjeç, duke drejtuar një automjet, ka aksidentuar shtetasin F. L. 63 vjeç, i cili po lëvizte me motoçikletë.

Për pasojë ka humbur jetën drejtuesi i motoçikletës.

I mituri është shoqëruar në ambientet e policisë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale bazuar procedurës standarte të punës dhe Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur.

Grupi hetimor vazhdon veprimet hetimore në vendin e ngjarjes për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit./Albeu.com/


Shtuar 11.05.2023 17:05