Rasti "Monstra", Fejzi Aziri dënohet edhe me 6 vite të tjera burg
Gjykata ka vendosur dënimin me gjashtë vjet e gjysmë burg për Fejzi Azirin, i cili akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe trafikim të armëve. Gjykatësja e rastit mbylli gjykimin kundër tij të mërkurën, duke e shpallur atë fajtor për incidentin e vitit 2009 që ndodhi në Belimbegovë.

“Në mbështetje të nenit 396, paragrafi 2 i Kodit Penal, lidhur me paragrafin një të këtij neni dhe pas shqyrtimit të provave të rastit, ky trup gjykues mori aktgjykimin me të cilin shpalli fajtor Fejzi Azirin, i cili për kryerjen e veprës penale armëmbajtje pa leje dhe trafik armësh dënohet me gjashtë vjet e gjashtë muaj heqje lirie. Fejzi Azirit është vendosur t’i konfiskohen edhe armët që janë kapur pas incidentit, njofton “Koha”.

Sipas gjykatëses, Aziri duhet të paguajë edhe shpenzimet e procesit gjyqësor. Me këtë vendim mbyllet gjykimi disamujor për incidentin e ndodhur në vitin 2009.

Në dy gjykimet e mëparshme të të njëjtës çështje, Fejzi Aziri ishte liruar nga akuza, ndërsa prokuroria ishte ankuar. Sipas të dhënave policore lidhur me incidentin e 2009-ës në Belimbegovë, në vendin e ngjarjes u gjetën rreth 50 gëzhoja automatiku. /albeu.com/
Shtuar më 14/01/2015, ora 13:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori