Raporti i Martyt barazon viktimat me përdhunuesit serbë
Ali Ahmeti
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti tha se raporti i publikuar nga Dick Marty, raportues për Kosovën në Këshillin e Evropës, bart në vete tendencën e rrezikshme për të barazuar viktimat me përdhunuesit në njërin nga konfliktet më të ashpra në territorin e Evropës.

“Propozim-raporti për Kosovën i përgatitur nga raportuesi i Këshillit të Evropës, deputeti zviceran Dick Marty, bart në vete tendencën e rrezikshme për të barazuar viktimat me përdhunuesit në njërin nga konfliktet më të ashpra në territorin e Evropës, i cili ka përfshirë vrasje të organizuara, pastrim etnik sistematik të vendbanimeve, dhe fushata gjenocidale të sponsorizuara nga zyrtarët e regjimit famëkeq të Slobodan Milosevicit. Ky raport përmban tendencën për ta diskredituar lëvizjen çlirimtare të një populli të diskriminuar dhe të keqtrajtuar në mënyrë sistematike për dekada me radhë, nga ana e një pushteti shovinist, antidemokratik dhe etnocentrik”, ka thënë Ahmeti.

Sipas Ahmetit, propozim-raporti i Martyt, i cili drejton akuza të rënda ndaj drejtuesve të dikurshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që sot janë udhëheqës politikë të institucioneve legale, legjitime dhe të njohura ndërkombëtarisht të shtetit të pavarur e sovran të Kosovës, është plotësisht i njëanshëm dhe aspak i balancuar.

“Për fat të keq, ky propozim- raport, në vend të fakteve, portretizon një të vërtetë të ndikuar politikisht. Si i tillë, ky dokument nuk e meriton miratimin nga ana e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Unë e kam plotësisht të qartë dhe për më shumë, e respektoj faktin që z. Marty mund të ketë bindje dhe pikëpamje personale ose politike lidhur me ngjarjet e vitit 1999 në Kosovë, por është totalisht joprofesionale dhe e papranueshme që bindjet ose pikëpamjet e tij personale të reflektohen në një dokument zyrtar i cili mban simbolin e Këshillit të Evropës”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, subjekti të cilin e drejton ai, ka respekt të plotë dhe mirënjohje të thella për misionin, qëllimet dhe angazhimin shumë fisnik e të përkushtuar të institucionit më të vjetër të Evropës së bashkuar për të ndihmuar në konsolidimin e demokracive të brishta në Ballkanin e trazuar nga luftërat e gjakderdhjet e njëzet viteve të shkuara.

“Prandaj, dua të theksoj se një raport i tillë, politikisht i ndikuar, rrezikon të vë hije të keqe ndaj Këshillit të Evropës, si afirmator i të drejtave të njeriut dhe demokracisë në Evropë, por edhe në botë”, është shprehur lideri i BDI-së. (ina)
Shtuar më 16/12/2010, ora 17:17

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori