Ramadani për Albeu.com: Me zgjidhjen e ngërçit politik do rilindë një tjetër Maqedoni
Para pak ditësh lideri i opozitës në Maqedoni Zoran Zaev publikoi "bombën" nr.5 duke nxjerrë edhe një herë në skenë mënyrën se si vepron pushteti në Shkup, por deri tani reagimi politik dhe qytetar në Maqedoni ka qënë tejet i zbehtë.

Për këtë Portali Albeu.com pyeti analistin nga Shkupi Ramadan Ramadani, i cili shprehet optimist për fundin e kësaj historie.

Sipas tij, në ditët dhe javët në vijim edhe shoqatat civile dhe joqeveritare, por edhe partitë politike do jenë më shumë aktive në këtë krizë të thellë politike në të cilën ka rënë Maqedonia e që me zgjidhjen e saj pritet ta rilindë një tjetër Maqedoni nga kjo e tanishmja.

"Po. Tani për tani nuk duket se artikulimi qytetar është proporcional me madhësinë e skandalit që publikohet në këto "bomba" dhe kjo ka të bëjë me potencën e përgjithshme të qytetarëve, por edhe çrregullimin e skenës mediale dhe opinionit në Maqedoni, çrregullim ky që vazhdon me vite të tëra. Një tjetër faktor për këtë është edhe ndasia e Maqedonisë dhe opinionit në pjesët e saj më të mëdha, atë maqedonase dhe në pjesën shqiptare. Tani për tani duket sikur maqedonasit janë qytetarët kurse guximi qytetaresk është më shumë tek shqiptarët. Besoj se në ditët dhe javët në vijim edhe shoqatat civile dhe joqeveritare, por edhe partitë politike ende më shumë do jenë aktive në këtë krizë të thellë politike në të cilën ka rënë Maqedonia e që me zgjidhjen e saj pritet ta rilindë një tjetër Maqedoni nga kjo e tanishmja", ka thënë për Portalin Albeu Ramadan Ramadani, analist pranë Institutit "Nisma" në Shkup. /albeu.com/
Shtuar më 01/03/2015, ora 15:59

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori