Radishan, shqiptarët braktisin shtëpitë
Familjet shqiptare prej mbrëmë janë larguar plotësisht nga lagja Radishan e Shkupit, për shkak të pasigurisë. Banorët janë vendosur tek të afërmit e tyre në lagjet e Shkupit dhe qytetet e tjera, deri në qetësimin e situatës.

" Jemi detyruar që të lëshojmë shtëpitë, për shkak të pasigurisë dhe rrezikut, se mund të sulmohemi nga huliganë maqedonas. Kemi qëndruar në shtëpitë tona, mirëpo dje vlerësuam se duhet të ikim për momentin, sepse nuk i dihet situatës", ka deklaruar për agjencinë e lajmeve INA, një banor i kësaj lagjeje.

Sipas tyre, djegia e një parukerie në sheshin e lagjes, mbishkrimet raciste "Vdekje për shqiptarët" nëpër muret e shtëpive në pjesën ku jetojnë familje shqiptare kanë detyruar që nga shkaqet e sigurisë të lëshojnë shtëpitë e tyre.

Banorët shqiptarë të Radishanit kanë theksuar se një i ri i fshatit është rrahur brutalisht në rrugën mbi urën që lidh këtë lagje me Butelin pas një sulmi nga një grup huliganësh maqedonas.

Forca të mëdha policore janë të stacionuara në hyrje daljet e autostradës që lidh Tetovën me Shkupin, në urën lidhëse që lidh Radishanin dhe Butelit. Forca policore speciale janë të stacionuara edhe në afërsi të disa shtëpive në hyrje të lagjes Butel. /albeu.com/

Shtuar më 17/04/2012, ora 09:33

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori