Qeverisja e BDI-së diskriminuese për shqiptarët
Menduh Thaçi
Partia Demokratike Shqiptare i vlerëson të dëmshme dhe diskriminuese për shqiptarët 100 ditët e qeverisjes së BDI-së dhe VMRO DPMNE-së. Kreu i kësaj partie Menduh Thaçi ka thënë se gjatë kësaj periudhe qeveria aktuale nuk ka arritur të përmbushë as edhe një objektiv, përkundrazi ka përkeqësuar edhe më shumë jetën e qytetarëve në veçanti të atyre shqiptarë.

“Me rëndësi është që bashkë të konstatojmë se këto nuk janë 100 ditët, por 1.100 ditët e kësaj qeverie, ku asgjë për të mirë nuk ka ndryshuar për shqiptarët, por dita ditës bëhet më keq për shqiptarët. Çështja e parë është integrimi në EU dhe NATO. Ashtu siç na mashtroi Ahmeti në 2001 se i çliroi shqiptarët, ai në 2008 në emër të debllokimit të vendit drejt NATO-s dhe BE-së, kërkoi zgjedhje të parakohshme dhe vazhdon me një patetikë të pakuptuar se ai angazhohet për integrim të Maqedonisë në NATO dhe EU”, ka deklaruar Thaçi, ndërsa transmeton Alsat-M.

Si dështime të qeverisë, Thaçi ka përmendur edhe projektin “Shkupi 2014”, miratimin e ndryshimeve në ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe dhe të flamurit kombëtar që, sipas tij, janë shembuj më eklatantë të diskriminimit të shqiptarëve.

Ai e ka akuzuar BDI-në edhe për enciklopedinë maqedonase, mashtrimin e shqiptarëve për gjoja 100 mijë punësime, për shkatërrimin ekonomik dhe social të tyre, si dhe për dështimin e regjistrimit që, sipas tij, është një tregues alarmant se shteti nuk ka kapacitete për realizimin e asnjë operacioni serioz.
Shtuar më 08/11/2011, ora 18:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori