Zbardhet biseda e rëndësishme mes liderve perëndimorë

Udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë kanë zhvilluar një diskutim për një sërë çështjesh të rëndësishme me të cilat po përballet bota kohët e fundit.

Shtëpia e Bardhë, gjatë një deklarate të fokusuar kryesisht në çështjen e Ukrainës, tha se biseda mes liderëve u zhvillua rreth përpjekjeve për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Iranin.

Jashtë Ukrainës, ata “diskutuan gjithashtu negociatat në vazhdim mbi programin bërthamor të Iranit, nevojën për të forcuar mbështetjen për partnerët në Lindjen e Mesme dhe përpjekjet e përbashkëta për të penguar dhe kufizuar aktivitetet destabilizuese të Iranit në rajon,” vuri në dukje Shtëpia e Bardhë, duke përshkruar telefonata e katër liderëve perëndimorë.

Uashingtoni, megjithatë, nuk elaboroi diskutimin midis presidentëve Joe Biden dhe Emmanuel Macron, kryeministrit Boris Johnson dhe kancelarit Olaf Scholz për çështjet e Lindjes së Mesme.

Javën e kaluar, Bashkimi Evropian dhe SHBA thanë se po studionin përgjigjen e Teheranit ndaj asaj që ata e quajtën propozimin përfundimtar të BE-së për të ringjallur marrëveshjen, sipas së cilës Irani frenoi programin bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve.

Në vitin 2018, presidenti i atëhershëm i SHBA, Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja e nënshkruar nga paraardhësi i tij, Barack Obama, dhe rivendosi sanksione të ashpra ndaj Iranit.