Qeveria mund ta përdorë dosjen për të ndalur pensionet, sërish e pësojnë veteranët e varfër
Pëlqej
Koment nga Ervin Shkulaku

Fatkeqësisht prokurori Elez Balakaj nuk arriti ta çonte deri në fund hetimin për mashtruesit e veteranëve pasi dha dorëheqje dhe u largua nga vend por fatmirësisht dosja e tij hetimore u bë e ditur për publikun dhe nuk u fsheh me rrezikun për ta eleminuar.

E siç pritej në hetimin e prokurorit shohim shumë dallavere të komandantëve me listat e veteranëve.

Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-komandanti i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku, kishte menduar gënjeshtrën se si të arsyetohet për listat e fryra të veteranëve të UÇK-së. Madje, ai këshillonte edhe anëtarët e tjerë të komisionit se si të gënjenin.

Dyshimet për dallavere vazhdojnë me rritjen e dëshmorëve fallco apo daljen në skene të një brigade fantazmë etj.

Por më e keqja është se këta veteranë fallco që mendohet të jenë rreth 19 mijë ende vazhdojnë të marrin pensione dhe i kushtojnë xhepave të qytetarëve të ndershëm 38 milionë e 882 mijë e 400 euro për një vit.

Populli shqiptar e ka një thënie që çudia më e madhe tre ditë zgjat, dhe kjo çështje mund të zgjatë vetëm tre ditë por qeveria mund ta stërgjatë për ta përdorur në favor të saj.

Ka kohë që FMN është ankuar për paratë që harxhohen nga buxheti për veteranët, prandaj me këtë shkas qeveria mund ta ndalë dhënien e pensioneve për të gjithë veteranët deri sa të identifikohen me emër dhe mbiemër veteranët fallco.

E këtu ligjërisht ka të drejtë ta bëjë këtë veprim e në esencë duket i drejtë.

Por ky identifikim mund të tejzgjatet dhe si gjithmonë do ta pësojnë njerëzit në nevojë.

Veteranët e vërtetë që janë në nevojë do ta pësojnë nëse qeveria vendos ndaljen e përkohshme të pensioneve dhe kjo mund të shkaktojë dramë te ta.

Nuk ishin të gjithë veteranët komandanta që ta kishin fatin të pasuroheshin në para dhe lluks pas luftës por shumica prej tyre ngelën të varfër.

Prandaj, qeveria nëse dëshiron një zgjidhje të drejtë fillimisht t'i identifikojë veteranët e vërtetë që janë në nevojë dhe të mos ia prekë pensionet e tyre.

Ata luftuan për një Kosovë shqiptare të lirë e të drejtë.

Në aktakuzë, janë akuzuar 12 persona të cilët janë Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari./albeu.com/



Shtuar më 17/08/2018, ora 16:57
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori