Punonjësit me arsim të lartë, të pakënaqur më rrogën minimale
Duket se rroga minimale e vendosur 12 mijë denarë nga disa njerëz është mirëpritur e nga të tjerë është konsideruar një zhgënjim.

Një pjesë e pastruesve dhe mjeshtërve shtëpiak që punojnë në sektorin publik u barazuan me kolegët e tyre me arsimim më të lartë dhe tani këto të fundit kërkojnë korrigjimin edhe të rrogave të tyre, thonë nga sindikata e punonjësve në organet e gjyqësorit.

"Me obligime më të thjeshta të punës, me nivel më të ulët të arsimit kanë rroga të njëjta, madje në disa raste edhe më të mëdha. Ky është problem real. Kemi shumë reagime nga punonjësit e sektorit publik. Kishim edhe takim me ministrin e financave dhe e biseduam këtë problem dhe kërkuam që me rritjen e rrogës minimale të rriten edhe rrogat tjera në sektorin publik"- deklaroi Tërpe Deanovski, sekretar i përgjithshëm i SPOGJ.

Rroga e të punësuarve në sektorin publik llogaritet në bazë të Ligjit për nëpunës të administratës. Në të ka vlerësim të pikëve, lartësinë e të cilëve qeveria e përcakton çdo vit, por jo edhe koeficientin e peshës, thotë Deanovski. Sipas tij, zgjidhje më e mirë është të gjitha të drejtat e punëtorëve, mes tjerash edhe rroga, të rregullohen me marrëveshjen kolektive, e jo me ligj.

"Me vetë atë që rrogat do rregulloheshin me marrëveshjen kolektive, punëdhënësit do kushtëzoheshin në çdo dy vjet të nënshkruajnë marrëveshje të reja kolektive dhe kjo do i jepte mundësi sindikatës për të biseduar për rroga më të mëdha. Kjo është e mira e marrëveshjeve kolektive, me çdo marrëveshje të re kolektive rregullohen të drejta më të mëdha nga ajo që është dhënë me ligj dhe me kushtetutë"- shtoi ai.

Sipas ligjit për marrëdhënie pune, marrëveshja kolektive duhet të rinovohet në çdo dy vjet, në të kundërtën, vazhdojnë të vlejnë dispozitat e marrëveshjes aktuale.

Marrëveshja e fundit kolektivesektorin publik është bërë në vitin 2008. Në to nuk ka koeficient të peshës, e as nuk është përcaktuar rroga më e ulët.
Shtuar më 28/10/2017, ora 19:06
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori