Publikohet në shqip libri "Etika: Shkurt e shqip"
Pëlqej
Instituti për Studime Politike dhe Ndërkombëtare ka publikuar në shqip librin e Andre Lalandes, të titulluar "Etika: Shkurt e shqip".

Më poshtë ju sjellim, parathënien e botimit në gjuhën shqipe, të Ali Pajazitit.

Lalande: Porosi të urtësisë së zbatuar një shekull më vonë
- Parathënie botimit në gjuhën shqipe -

“Tout homme raisonable conclura qu'il est visiblement de son intérêt d’être honnête homme”.
(Çdo njeri i arsyeshëm konstaton se është në dobinë e tij të jetë i ndershëm!)
Voltaire

Morali (lat. mos, moris: mënyrë, sjellje, zakon) dhe etika (gr. ethos: shprehi, karakter), përbëjnë dy kategori – njëra praktike, tjetra më tepër teorike - të rëndësishme humane dhe sociale që nënkuptojnë parime udhëheqëse (Z. Bauman), sistem rregullash që na ndihmojnë për të dalluar të mirën nga e keqja, të drejtën nga e shtrembëta, që shënjojnë hartën në drejtim të mënjanimit-minimizimit të së dëmshmes, ceneve e të së keqes dhe mbjelljes dhe afirmimit të së dobishmes, të së bukurës, njerëzores, fisnikes e universales, vlerat këto që asocojnë simfoninë e shpirtit dhe të aksionit konstruktiv individual dhe kolektiv...
Të dhënat faktografike flasin se literatura shqiptare për moralin dhe etikën, e mbiquajtur edhe filozofi e moralit, është tepër deficitare, pra në gjuhën tonë ka shumë pak tekste origjinale a të përkthyera që merren me këtë subjekt mjaft me peshë të kohës krizologjike në të cilën jetojmë, të epokës me pallate të larta por me shpirtin e vrarë, kur po shënohet një rigjallërim i debateve rreth vlerave, virtyteve, aksiologjisë, edukatës, eticitetit, bontonit, mirësjelljes, deontologjisë, etikës postmoderne, urtësisë, përshpirtësisë, gjithandej globit. Ky pra ka qenë një nga motivet për t’iu rrekur përkthimit të libërthit Etika: shkurt e shqip. Shtysë tjetër kanë qenë kurset e etikës që po i mbajmë në Universitetin e Evropës Juglindore dhe bisedat me studentë, kolegë e miq që gjithnjë kanë theksuar nevojën për burime të reja të kësaj fushe, debatet publike lidhur me problemet, përshtjellimin dhe patologjinë sociale shumëpërmasore, reformat proetike në politikat publike arsimore në vend e më gjerë etj.

Vepra Etika: shkurt e shqip e filozofit të mirënjohur francez André Lalande, një doracak ky i etikës në kontekstin e arsimit publik francez që nga fillimi i shek. XX, temat i trajton nën objektivin pedagogjik, në formën e pyetje-përgjigjeve (229 gjithsej), duke ofruar për çdo pyetje një shpjegim/përgjigje të shkurtër e të qartë. Përmes këtij teksti lexuesve u injektohet bindja se personaliteti i virtytshëm varet nga jetësimi i normave morale, gjë që kërkon sakrifica, përpjekje dhe lartësim të eticitetit, me fjalë të tjera, mbillet ideja se moraliteti është një vlerë që duhet dashur me zemër e shpirt, një cilësi e lartë njerëzore (C.D., 1995). Libërthi në fjalë përmban dimensione të shumta kulturizuese dhe edukuese, ndriçon jetën praktike të njerëzve, ua mëson rregullat-normat morale relevante, të cilat nëse aplikohen emanojnë qëndrime dhe veprime pozitive që shpien drejt krijimit të hapësirës morale, perfeksionit dhe lumturisë së shumëkërkuar.

Do të ndjeheshim shumë të lumtur sikur Etika: shkurt e shqip të gjente vendin e vet që nga lexuesi i rëndomtë e deri te qarqet shkollore-universitare, të ndihmonte në aktivizmin shoqëror për përgatitjen e brezave me formim etik, krahas rrafshit arsimor e akademik, sepse pa kulturë e pa zë të gjallë të ndërgjegjes s’ka as arsim, as jetë e as shoqëri të shëndoshë, kurse morali dhe etika, që ngërthejnë vetënjohjen, vetëvlerësimin dhe vetëkontrollin, janë pjesë konstituive të kulturës dhe të estetizimit të jetës sonë në kohë dhe në hapësirë.

Falënderojmë mikun Rejhan Neziri, i cili dha kontributin e vet të çmuar duke e analizuar dhe redaktuar në detaje këtë tekst, si dhe drejtorin e ISPN-së, kolegun prof. Ylber Sela, i cili mori përsipër botimin këtij libri, që ndonëse ka një histori 107 vjeçare, edhe sot e kësaj dite është i freskët dhe i dobishëm për çdo kategori lexuesish!
Shtuar më 10/03/2014, ora 10:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori