Publikohet dosja e ish komandantit të UÇK-së
Gazeta Dnevnik
Vazhdon publikimi i dosjeve të funksionarëve të lartë të BDI-së. Pas dosjeve të "Mama", "Strelac" dhe "Daja", e përditshmja në gjuhën maqedonase "Dnevnik" publikoi të martën dosjen e katërt të funksionarit të lartë të BDI-së dhe ish komandant i UÇK-së me nofkën "Ibri".

Sipas dokumenteve, “Ibri” është lindur në fshatin Zajaz të Kërçovës, ndërsa fillimi i bashkëpunimit daton që nga viti 1980 me rekomandim të bashkëpunëtorit me nofkën “Daja”. Në takimin themelues të mbajtur në një banesë në afërsi të Cyrihut, nga tetë emigrantë shqiptarë, më së paku dy ishin bashkëpunëtorë të shërbimeve serbe të sigurisë, nofkat e të cilëve ishin “Ibri“ dhe “Daja”, që të dy nga Maqedonia.

Ibri” dhe “Daja” në fillimin e viteve të tetëdhjeta kanë bashkëpunuar me shërbimet sekrete jugosllave, ndërsa ai bashkëpunim ka vazhduar edhe në kohën e Slobodan Milosevicit” thuhet në dosjen të cilën e publikoi e përditshmja “Dnevnik”.

Në dosje ka dokumente që përputhen me dokumentet e dosjes “Daja”, posaçërisht lidhur me vrasjen e vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe shokut të tyre Kadri Zekës. Përmenden gjithashtu edhe shumë emra të shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia dhe Evropa Perëndimore, për të cilët “Ibri” dhe “Daja” u kanë dhënë informata shërbimeve“, shkruan më tej Dnevnik.

Gazeta shkruan se ”Ibar” kishte vepruar në Zvicër, në mesin e emigrantëve shqiptarë. Aktivitetet e tij kanë qenë të bashkërenduara me bashkëpunëtorin “Daja” dhe “Strelac”, ndërsa ato kanë pasur për qëllim informimin e shërbimeve serbe lidhur me veprimin e aktivistëve për pavarësinë e Kosovës, siç janë Kadri Veseli, Xhavit Haliti, Ramush Haradinaj, Agim Çeku, Jakup Krasniqi, Azem Syla - daja i Hashim Thaçit, Abaz Zerja, Hidajet Hyseni, Ram Buja, Bardhyl Mahmuti, Emrush Xhemaili dhe të tjerë.

Angazhimi i tij, Beogradit i ka kushtuar 167.560 franga zvicerane, 50.000 marka gjermane si dhe një shumë e pavërtetuar në dinarë. Nga periudha prej 1983/84 deri në qershor të vitit 1997, “Ibri” shërbimeve u ka dorëzuar mbi 10.000 informacione të vlefshme, të dhëna, shënime dhe dokumente” thuhet mes tjerash në shkrimin e publikuar në Dnevnik.

Ndaj shkrimit në gazetën Dnevnik ka reaguar partia e Ali Ahmetit, duke thënë se shpesh herë u ka ndodhur të provokohen, të goditen dhe të sulmohen në mënyrat më të ulëta e më të pista, më jo dinjitoze, më jo njerëzore, madje edhe me plumba “kallashi“ pas shpine.

“Kjo që me ditë të tëra po ndodh me të ashtuquajturat ‘dosje’, të cilat janë të fabrikuara nga laboratorët e mbeturinave të politikës antishqiptare, kalon çdo kufi, shkel çdo normë njerëzore dhe rrënon çdo tezë të kufirit të çmendurisë. Ato kësaj radhe, në çmendurinë e tyre, e tejkaluan edhe veten. BDI duke i dënuar, duke u distancuar dhe duke shprehur neverinë e çdo shqiptari i pyet fabrikuesit dhe shpërndarësit e këtyre fabrikimeve: A ka kufi çmenduria juaj? Deri ku jeni të përgatitur të shkoni në përçarjen e popullit dhe përdhunimin luftërave më të lavdishme të popullit shqiptar të shekullit njëzet, siç janë ato të Kosovës dhe Maqedonisë”, thuhet në reagimin e BDI-së, ku shtohet se populli shqiptar nuk do të lejojë që kontrabandistët dhe fundërrinat e politikave antishqiptare të ulin krenarinë dhe shenjtërinë e luftërave të drejta të popullit tonë.

Në reagimin me shkrim BDI-ja bënë apel deri te të gjithë qytetarët, të mos bien pre e provokimeve, por si gjithmonë, të rruajnë gjakftohtësinë, për shkak se përçarja dhe vëllavrasja është qëllimi kryesor i këtyre strukturave antishqiptare. (alsat/albeu)
Shtuar më 26/10/2010, ora 20:05

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori