Përlasjet për “Open Balkan”, Rama: Shqiponja ka dy koka, ruajmë nga të dy anët

Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij Albin Kurti janë pyetur për iniciativën “Open Balkan” pas deklaratave të fundit të SHBA-së se nuk mund të ketë nismë të tillë pa përfshirjen e 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Rama tha se mendimi i tij mbetet i njëjtë duke përdorur si metaforë flamurin. Rama tha se shqiponja ka dy koka dhe ruan nga dy anët.

“Mendimi i Shqipërisë, i kësaj qeverie, mendimi im, nuk është as sekret dhe as i panjohur. Është i njëjti mendim që unë e kam shprehur dhe në mes të Beogradit, sa i takon Ballkanit të Hapur kemi dy qasje të ndryshme, nga ana tjetër të gjithë duhet të mësohemi, që mund të mos mendojmë njësoj për të gjitha gjërat, kjo nuk na pengon që të bëjmë gjërat e duhura për vendet tona. Këto opinione të ndryshme nuk përbëjnë asnjë pengesë për të fuqizuar marrëdhëniet mes nesh, dhe nëse më lejoni ti referohemi shqiponjës me dy koka.

Trupi qëndron drejt, prandaj mos kini asnjë dyshim se shqiponja me dy koka mund të kapet në befasi, pasi kontrollon me sy nga të dyja anët. Është vlerë e shtuar, kur të jemi me një kokë, rreziku është që më shumë të kafshojmë veten. Unë personalisht jam optimist për zhvillimin e marrëdhënieve tona, për angazhimin që kemi vendosur bashkërisht. Mos prisni kurrë që mes meje dhe Albinit debatet të jenë të mbyllura, është fiziologjia e njerëzve që nuk rrinë dot pa u menduar”, tha Rama.

Ndërsa Kurti zgjodhi të mos komentojë shumë duke thënë: “Këto takime dëshmojnë që Shqipëria dhe Kosova mund të dakordohen pa e përmendur fqinjin verior të Republikës së Kosovës. Ajo çfarë bëmë ne sot është liberalizimi i kufirit për qytetarët dhe bashkëpunimi i zyrtarëve, kufiri po relativizohet për qytetarët dhe po shtojmë bashkëpunimin, meqë është përgjegjësi e jona”./albeu.com


Shtuar 26.11.2021 12:52