Protestuesit maqedonas: Shqiptarët t'i bëjnë reformat në Shqipëri
Ndërkohë që në Maqedoni po vazhdojnë protestat kundër gjuhës shqipe, organizatorët e protestës kanë thënë se do të vazhdojnë të dalin në rrugët e Maqedonisë deri sa kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, të heqë dorë nga Platforma Shqiptare.

Lidhur me platformën, ata konsiderojnë se ky dokument është hartuar në Tiranë dhe si i tillë cenon karakterin unitar të shtetit të Maqedonisë.

Por nga ana tjetër, protestuesit thanë se mbeten të zhgënjyer nga Zaevi pas prezantimit të programit, i cili nuk pati guxim të shprehet kundër platformës shqiptare, prandaj thanë se do të vazhdojnë me protesta.

"Presidenti i shtetit, Gjorgje Ivanov, nuk guxon t'i ndajë mandatin një njeriu, icili në programin qeveritar synon të imponojë platformën e një shtetit të huaj, platformën e Tiranës.

Ne do të qëndrojmë këtu për të mbrojtur themelet e shtetit tonë nga ata që dëshirojnë të arrijnë në pushtet përmes shqiptarëve", ka thënë Bogdan Ilievski, një nga organizatorët e protestave kundër gjuhës shqipe.

Disa nga qytetarët e anketuar nga "Radio Evropa e Lirë", thonë se protestojnë kundër zyrtarizimit të gjuhës shqipe në tërë territorin e Maqedonisë.

"Problemi qëndron në atë se përdorimi i gjuhës shqipe imponohet në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë.

Njëherësh irriton edhe gjoba prej 5 mijë euro që parashihet për të gjithë ata, të cilët nuk e njohin gjuhën shqipe, kjo nuk përputhet me karakterin e shtetit shumetnik", thotë Jovanço Bozhinovski.

Përderisa Pero Spasovski, thotë se duhet të formohet një qeveri mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së për të penguar realizimin e platformës së partive politike shqiptare.

"Këtu jemi për formimin e një qeverie të përbashkët me LSDM-së vetëm që shqiptarët të heqin dorë nga platforma shqiptare.

Ata (shqiptarët) nuk ka se pse duhet të na shtrojnë platformë neve. Ata e kanë shtetin e tyre Shqipërinë le të shkojnë atje dhe le të shtrojnë platforma", thotë Spasovski.

Nga ana tjetër, Vera, një pensioniste, thotë se do të dalë çdo ditë për të protestuar, sepse sipas saj, shqiptarët janë nën 20 për qind Maqedoni dhe siç shprehet, gëzojnë më shumë të drejta se sa që u takojnë:

"Evropa po i bën presion Maqedonisë. Duhet të ketë regjistrim nëse shqiptarët janë mbi 20 për qind, atëherë kanë të drejtë të gëzojnë të drejta vetëm në ato territore ku janë mbi 20 për qind dhe jo në tërë territorin e Maqedonisë.

Por, nëse shqiptarët janë nën 20 për qind, atëherë do të hidhet poshtë dhe Marrëveshja e Ohrit, madje dhe marrëveshja e Përzhinos. Populli më herët duhet të kthjellohej që të mos vijmë në këtë gjendje.

Që kur u arrit Marrëveshja e Ohrit, Marrëveshja Kornizë askush nuk e pyeti popullin se çka bëhet me shtetin. Kërkojmë zgjedhje të reja për të arritur qëllimin tonë".

Ndryshe, në protestat e organizatave që kundërshtojnë marrëveshjen për shqipen, dëgjohen thirrje nxitëse nga më të ndryshmet si "Tradhtar Zaevi" dhe ajo "Shqiptarët platformat duhet t’i imponojnë në Shqipëri, sepse maqedonasit nuk kanë shtet rezervë". /albeu.com/

Shtuar më 12/03/2017, ora 15:54

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori