Plas “sherri”, simpatizantët e PS zihen në këshillin bashkiak

Përkrahësit e deputetit të PS, Adnor Shameti dhe përkrahësit e kryetarit të bashkisë Adriatik Mema janë përplasur në këshillin bashkiak për ndërtimin e një shkolle.

Këshilli bashkiak i Skraparit ka konsideruar gjimnazin e Potomit të paqëndrueshëm si pasojë e tërmeteve dhe janë propozuar disa projekte për ti ofruar nxënësve shkollim.

Kryetari i bashkisë së Skraparit, Adriatik Mema pohon se shkolla ka pasur shumë dëmtime dhe nuk mund të zhvillohet mësim. Për këtë arsye, bashkia ka paraqitur një projekt për restaurimin e një objekti, më konkretisht qendër shëndetësore që do iu shërbejë 81 nxënësve për të zhvilluar ciklin shkollor 2020-2021.

Ky projekt kap vlerën 14 milionë lekë të vjetra, ndërsa propozimi tjetër është për të bërë studimin e projektit për ndërtimin e shkollës nga e para, e cila arrin në vlerën 20 milionë lekë të vjetra. Nëse këto projekte miratohen në Këshillin Bashkiak, atëherë do të paraqiten tek ministria përkatëse për çeljen e fondeve.

Në disa takime të këshillit bashkiak, ky propozim është rrëzuar, ndërsa ditën e sotme do të zhvillohet mbledhja e radhës. Sot kryetari e ka propozuar sërish këtë çësthje për ta futur në rendin e ditës. Kundër propozimit kanë qenë vetë anëtarët e PS që kanë hedhur poshtë këtë vendim. Mungesa e një ambienti për të zhvilluar mësimin për sezonin shkollor 2020-2021 konsiderohet si një çështje pròblematike për banorët e zonës.


Shtuar 30.06.2020 10:34