Prokuroria Publike e Shkupit sulmon ashpër Prokurorinë Speciale të Maqedonisë
Prokuroria Publike e Shkupit që drejtohet nga Marko Zvrlevski akuzon hetuesit e ekipit të kryeprokurores Katica Janeva se kanë ndjekur ish-shefin e Drejtorisë së Kundërzbulimit Sasho Mijalkov pa urdhër nga gjykata.

Përmes një letre të hapur, Prokuroria Publike Themelore thekson se Prokuroria Speciale punon me lëshime dhe parregullsi të shumta.

Në adresë të prokurores Janeva kishte akuza për nepotizëm, shkelje të prezumimit të pafajësisë, ndër të tjera edhe etiketimi se Prokuroria Speciale po udhëheq fushatë politike.

"Ju pyesim se me çfarë standardesh dhe ligjesh i jepni urdhra hetuesit tuaj të ndjekë dhe regjistrojë person të dyshuar në rastin tuaj? A kishit për këtë urdhër të gjykatës për masë të veçantë hetuese? ", thuhej në letrën e Prokurorisë Themelore Publike.

Prokuroria vë në dukje edhe parregullsitë dhe shkeljet ligjore si dhe mënyrën se si është ndaluar kryetari i komunës së Likenasit, Edmond Temelko.

"Ju pyesim, çfarë standardi ligjor është privimi nga liria i një personi, për të cilin ju pranuat publikisht se ka qenë privim i paligjshëm, por vetëm një orë e gjysmë?", theksohet më tej.

Marko Zvrlevski e akuzoi kryeprokuroren speciale se kishte gënjyer kur tha se Prokuroria Themelore ka pranuar 35 lëndë në të cilat nuk është bërë asgjë për shkak se një pesë e lëndëve kanë qenë tashmë para vendimit gjyqësor. /albeu.com/
Shtuar më 25/10/2016, ora 20:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori