Prokuroria: Nuk pati helmime në Gostivar
Pëlqej
Merr fund rasti i helmimeve në shkollën e mesme ekonomike komunale në Gostivar, e ndodhur më 14 shkurt të këtij viti. Vendimi nuk ka nxjerr asnjë fajtor sepse pas kryerjes së ekspertizës dhe pranimit të raporteve nga institucionet kompetente, Prokuroria publike ka ardhur në konkludimin se nuk ka indikacione konkrete për të vijuar me prokurimin e lëndës, transmeton TVM2.

"Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë, informon se pas fletëparaqitjes nga Stacioni Policor, për rastin e ndodhur në shkollën e mesme ekonomike komunale në Gostivar më datë 14 shkurt 2014, me ç’rast më tepër persona u ankuan për gjendjen shëndetësore, procesin hetues e zbatoi Prokuroria Publike e Gostivarit. Prokuroria dha urdhër të kryhet ekspertizë e veshjeve të personave të dëmtuar, dhe kreu ekspertizë në objektet e shkollës. Pas marrjes së mostrave nga muret në mjediset e shkollës, njësia e krim teknikës e kreu analizën e nevojshme, dhe me instrumentin e quajtur ‘gaz-masë spektromatës’, u konstatua se nuk ka pasur rezultate që do të tregonin praninë e materies së panjohur", thuhet në përgjigjen me shkrim të siguruar ekskluzivisht nga TVM2 prej shërbimit për informim të Prokurorisë Publike të Maqedonisë.

"Në bazë të ekzaminimit konkret, u konstatua se nuk ka prani të gazrave metan dhe propan butan në mjediset e shkollës", vijon përgjigja.

Është bërë edhe ekspertizë në gjak dhe urinë nga 16 pacientë të cilët u ankuan për shqetësime të shkaktuara nga substanca të panjohur në mjediset shkollore.

"Prokuroria Publike e Gostivarit, dha urdhër deri tek Instituti i mjekësisë ligjore, kriminologjia dhe deontologjia mjekësore në Shkup, që të bëhet ekspertizë në gjak dhe urinë të marrë nga 16 pacientë të cilët u ankuan për shqetësime të shkaktuara nga substanca të panjohur në mjediset shkollore. Nga rezultatet e pranuara nga ekspertiza dhe analizat toksikologjike, analizat e gazit, gjakut dhe urinës, u konstatua se tek 16 pacientët e ankuar, parametrat e përmendura janë në kufijtë e normales, respektivisht se nuk ka prani të substancave kimike që do të ndikonin në vlerat referente", vijon përgjigja nga Prokuroria Publike në Shkup, nga ku thuhet se: "Pas kryerjes së ekspertizës dhe pranimit të raporteve, prokurori publik kompetent për rastin në fjalë, ka ardhur deri tek vendimi se nuk ka vend për trajtim të lëndës nga ana e prokurorit publik", transmeton TVM2. /albeu.com/
Shtuar më 20/09/2014, ora 15:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori