PROFIL/ Kush është Presidenti i ri i Maqedonisë, Stevo Pendarovski
Stevo Pendarovski, kandidati i LSDM-së, fitoi në raundin e dytë të zgjedhjeve përballë kandidates nga VMRO-DPMNE Gordana Siljanoska-Davkova.

Ai është presidenti i pestë i zgjedhur i Maqedonisë, i pari me emrin e ri të shtetit Maqedonia Veriore, pas zgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë.

Pendarovski u lind më 3 prill 1963 në Shkup. Është politikan, profesor, analist, docent për siguri ndërkombëtare, politikë të jashtme dhe globalizim në Fakultetin për Shkenca Politike në Universitetin Amerikan Kolegj-Shkup.

Pas mbarimit të arsimit të lartë, emërohet udhëheqës i sektorit për analitikë në Ministrinë për Punë të Brendshme. Për tri vjet ka ushtruar postin e zëdhënësit ndihmës ministër për marrëdhënie me publikun, pranë MPB-së.

Nga viti 2001 është emëruar për shef të sigurisë kombëtare dhe këshilltar për politikë të jashtme në kabinetin e presidentit Boris Trajkovski dhe më pas dhe të kabinetit të Branko Cërvenkovskit.

Stevo Pendarovski gjithashtu ishte kandidat për president nga radhët e LSDM-së në zgjedhjet presidenciale të vitit 2014, ku u radhit i dyti me 398.077 vota të fituara.

Ai në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit 2016 ishte bartës i listës së LSDM-së dhe koalicionit në njësinë zgjedhore numër një, nga ku edhe fitoi mandatin e tij si deputet në Kuvendin e Maqedonisë Veriore.

Më 7 dhjetor të vitit 2017, Pendarovski dha dorëheqje nga funksioni i deputetit pasi u emërua në funksionin aktual të tij si koordinator kombëtar për përgatitje të Maqedonisë për anëtarësim në NATO.

Më herët, Maqedonia, pas shpalljes së pavarësisë nga ish-Jugosllavia më 1991, ka pasur këta presidentë: George Ivanov me dy mandate (2009-2019), Branko Cërvenkovski (2004-2009), Boris Trajkovski (1998-2003, ndërroi jetë si president) dhe Kiro Gligorov (1992-1998 – i mbijetoi atentatit).
Shtuar më 06/05/2019, ora 10:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori