Zgjedhjet, pritet fjala e fundit e ndërkombëtarëve
Deri në fund të kësaj jave, përfaqësuesit e SHBA-ve dhe ata të BE-së në Shkup pritet të japin vlerësimin e tyre, nëse në Maqedoni janë përmbushur kushtet e nevojshme për zgjedhje demokratike më 24 prill.

Partia më e madhe maqedonase, VMRO-DPMNE, e drejtuar nga ish-kryeministri Nikola Gruevski, vlerëson se janë plotësuar të gjitha pikat e marrëveshjes së 2 qershorit për zgjedhje të lira, ndaj dhe këmbëngul që të mos shtyhet data për mbajtjen e tyre.

“Shteti ka për detyrë që t’i japë fund sa më parë kësaj krize përmes zgjedhjeve të parakohshme, ku qytetarët do të thonë fjalën e tyre për të gjitha zhvillimet dhe do të vendosin se, kush duhet ta udhëheqë shtetin në të ardhmen”, tha Antonio Miloshovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Por, partia maqedonase në opozitë LSDM është e vendosur, që të mos marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme të 24 prillit, pa u përmbushur kriteret për një proces elektoral demokratik. Social-demokratët maqedonas akuzojnë pushtetin se, po përgatit terren për manipulime të reja në zgjedhjet e ardhshme, duke u bërë pengesë për zbatimin e reformave që burojnë nga marrëveshja e 2 qershorit.

“Edhe krahas firmosjes së marrëveshjes së 2 qershorit, VMRO-DPMNE-ja e pengon në vijimësi zbatimin e pikave të saj në praktikë. Kjo parti pengon punën e Prokurorisë Speciale, pamundëson pastrimin e listës zgjedhore dhe nuk bashkëpunon për reformimin e mediave”, tha Sofija Kunovska, deputete e LSDM-së.

Ndërkohë, Komisioneri europian për Zgjerimin, Johannes Hahn ka deklaruar se, vendimi për datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni varet nga vlerësimi i përfaqësuesve të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, të cilët duhet të thonë fjalën e fundit, nëse janë plotësuar apo jo kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike më 24 prill. /albeu.com/
Shtuar më 16/02/2016, ora 18:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori