Presidentit Meta i dorëzohet në Manastir kërkesa për hapjen e konsullatës shqiptare
Në saje të festave kombëtare, sot në Manastir qëndroi në vizitë një ditëshe Presidenti Shqipar, Ilir Meta.

Presidenti Meta vizitoi Bashkinë e komunës së Manastirit, dhe u takua me Kryetaren e komunës z-njën Natasha Petrovska.

Më pas, në fjalën e tij në eventin e mbajtur, Meta ka vlerësuar se, 22 nëntori është padyshim një nga datat më të mëdha të historisë sonë kombëtare, që e orientoi kombin tonë drejt kombeve të përparuara të botës perëndimore.

“Kongresi i Manastirit pati rëndësi të madhe jo vetëm për alfabetin dhe për gjuhën letrare kombëtare, për arsimin e për kulturën, por edhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në përgjithësi. 36 shkronjat e alfabetit tonë përjetësuan shkrimin shqip dhe historinë e shqiptarëve në trojet ku ata historikisht kanë jetuar dhe do të jetojnë. Me alfabetin e Kongresit të Manastirit u shkrua dokumenti i Pavarësisë së Shqipërisë në 28 Nëntor 1912”, ka thënë Meta.

Pas njëqind e nëntë vjetësh, ka vijuar kreu i shtetit, shqiptarët duhet të jenë krenarë për vendimet e Kongresit të Manastirit, i cili e renditi gjuhën e lashtë shqipe në radhët e gjuhëve moderne.

“Me këtë alfabet u shkrua në shqip edhe Marrëveshja e Ohrit e 13 gushtit 2001. Me këtë alfabet shkruhet edhe liria dhe mbrojtja e respektimi i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni”, ka thënë Meta.

Ngjarje me rëndësi ishte dhe takimi i përfaqësuesit të shoqatës për kulturë, art, arsim dhe shkencë Kongresi i Bashkimit, Fergim Demiri me shefin e kabinetit dhe të protokollit të Presidentit Ilir Meta me z. Arben Cici, në të cilin takim iu dorëzua letër e hapur me kërkesën për hapjen e Konsullatës të nderit të shtetit Shqiptar në Manastir. /albeu.com/

Shtuar më 21/11/2017, ora 19:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori