Preferohen grekët para shqiptarëve
Maqedonia vazhdon t’i mbajë sytë nga Porti i Selanikut, duke e lënë në krye të listës së destinacioneve të preferuara për transportin e mallrave dhe njerëzve. Pavarësisht politikave diskriminuese të autoriteteve doganore greke, sidomos keqtrajtimet në pikat e kalimeve kufitare tokësore të automjeteve dhe shtetasve me pasaportë maqedonase, por edhe grevave të punonjësve të Portit të Selanikut, si pasojë e të cilave tregtarëve nga Maqedonia u janë bllokuar me javë të tëra mallrat, tregtia me këtë port nuk është ulur, shkruan gazeta "Koha".

Edhe pse shumë herë më i lirë e më pak burokratik, por edhe për favorizimet që i bën automjeteve me targa maqedonase të cilat nuk taksohen, Porti i Durrësit ka mbetur në harresë.

Në fushatën më të fundit që kanë ndërmarrë autoritete portale greke, e që ka të bëjë pikërisht me intensifikimin e tregtisë së mallrave nga Ballkani, mund të vihet re se janë të kënaqur me fluksin e deritanishëm me Maqedoninë dhe synojnë edhe vende të tjera të rajonit, si rritjen e porosive nga Bullgaria, apo Kosova. Prej kësaj jave e deri në fillim të vitit 2013, do të organizohet promovimi i mundësive të këtij porti në Maqedoni, e vende të tjera fqinje si Bullgari, Serbi, Kosovë dhe Mal të Zi.

Kjo fushatë, në fakt synon të ruajë tani për tani sasinë e volitshme të mallrave nga Maqedonia dhe Serbia, por edhe të rrisë porositë nga Bullgaria dhe Kosova. Sipas autoriteteve portale greke, planifikohet që porti të jetë i hapur si për banorët edhe vizitorët e Selanikut, ndërkohë që do të përshpejtohen procedurat për shfrytëzimin e depove.

Sipas drejtorit të portit të Selanikut, Stelios Angeludis, deri tani rezultatet janë pozitive falë edhe rritjes së fluksit të anijeve turistike. Po ashtu, sipas tij, edhe fluksi i udhëtarëve është rritur për 10 %, ndërsa vitin e ardhshëm pritet rritje edhe më e madhe. Rritje ka pësuar edhe transporti i mallrave. Nga janari deri në korrik të këtij viti, përmes Portit të Selanikut kanë kaluar 8.4 milionë ton mallra, ose e llogaritur ndryshe rreth 24 % më shumë se vitin e kaluar, njofton Koha.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, preferencat për Portin e Selanikut janë absurde, jo vetëm sa i takon politikës që ndjek shteti grek ndaj Maqedonisë dhe shtetasve të saj, por edhe për faktin se Porti i Durrësit është shumë herë më i lirë sesa ai i Selanikut. Por vetëm lidhjet politike dhe emocionale mund t’i japim shpjegim absurditetit të rradhës. /albeu.com/
Shtuar më 24/09/2012, ora 16:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori