DOKUMENTI/ Klodian Zoto paguan Klodian Zoton 230 milion lekë për këshilla mbi inceneratorët (FOTO LAJM)

Komisioni Hetimor për Inceneratorët ka zbuluar detaje të tjera në lidhje me aktivitetin e inceneratorit të Fierit, sipas sipas deputetëve të djathtë pronari real i tij, Klodian Zoto ka krijuar një mori firmash guackë duke paguar veten me fondet e marra nga taksapaguesit shqiptarë për konsulta sërish ndaj vetes.

Në dokumentet që ka hasur Komisioni Hetimor për Inceneratorët shihet një tabelë e gjatë pagesash nga ndaj kompanisë “Zoto Consulting”, të cilat kapin një shumë prej 230 milion lekësh.

Siç duket edhe nga dokumentet e mëposhtme, kompania “IT Waste Tretament Fier” ka paguar thuajse çdo muaj nga 500 mijë lekë kompaninë “Zoto Consulting” që prej vitit 2017. Në total kompania “IT Waste Tretament Fier” i ka transferuar kompanisë “Zoto Consulting”, të dyja në pronësi të Klodian Zotos, plotë 230 milion lekë pa TVSH, shprehen demokratët.

SPAK ka përfunduar tashmë hetimet për inceneratorin e Elbasanit duke arrestuar Lefte Kokën, ndrësa ka shpallur në kërkim Stela Gugalljan dhe Klodian Zoton me argumentin se kanë përfituar shuma të mëdha parash përmes korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Sipas SPAK, kompania “Albtek Energy” i ka transferuar disa kompanive në pronësi të Kokës dhe të Zotos shuma të mëdha parash për punë dhe shërbime të pakryera.

Prokuroria Speciale është në fund të hetimeve edhe për inceneratorin e Fierit dhe ka dyshime të forta se është përdorur e njëjta skemë si në Elbasan. Prandaj, kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi u thirr sot në SPAK bashkë me ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, i cili është aktualisht edhe deputet i PS-së. /abcnews.al


Shtuar 18.02.2022 17:41