Pompeo: Ju paralajmërojmë për rrezikun nga ndikimet ruse dhe kineze
Mbështetje për anëtarësimin e plotë në NATO dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit, shprehu Sekretari shtetëror i SHBA-ve, Majkëll Pompeo gjatë vizitës së tij në Ohër. Pompeo u deklarua i bindur për miratimin e protokollit të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në NATO nga senati amerikan dhe bëri thirrje të qarta për rezistencë nga ndikimet ruse dhe kineze. Ai përshëndeti marrëveshjen e Prespës dhe atë me Bullgarinë.

"I mirëpresim hapat që Qeveria juaj ka bërë për të luftuar korrupsionin dhe për të inkurajuar llogaridhënie më të madhe për secilin që ka abuzuar me besimin publik. Luftimi i korrupsionit është kritik për fillimin e negociatave me BE-në dhe anëtarësimin në NATO por edhe më e rëndësishme është për qytetarët tuaj. Një demokraci e fortë duhet të mbajë përgjegjësi për shqetësimet e opinionit dhe të ndërmarrë më shumë hapa për rezistencë dhe mbrojtje ndaj ndikimeve të dëmshme. Zemrat dhe mendjet e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut duhet të drejtojnë vendin tuaj përpara dhe jo ndikimet ruse në mediat sociale. Gjithashtu ju paralajmëroj për rrezikun e investimeve të kineze në sensin e teknologjisë dhe strategjinë e tyre për të siguruar marrëveshje infrastrukturore"-tha Majkëll Pompeo, sekretar shtetëror i SHBA-ve.

Pompeo fillimisht takoi Presidentin Stevo Pendarovski i cili vizitën e cilësoi si shumë të rëndësishme në një periudhë po ashtu të rëndësishme për proceset integruese të vendit. Kryeministri Zoran Zaev nga ana tjetër, në konferencën e përbashkët për media me sekretarin shtetëror amerikan deklaroi se vendi është i gatshëm të marrë përsipër angazhimet që do të burojnë nga anëtarësimi i plotë në NATO dhe se pret lajm të mirë nga Brukseli.

"Jemi të gatshëm që me ritëm edhe më të ndjeshëm të marrim pjesë në të gjitha iniciativat globale për konfrontim me dezinformatat dhe kërcënimet e demokracisë. Me anëtarësimin tonë të plotë në NATO, angazhimi jonë në këtë drejtim do të marrë nxitje dhe dimension të fuqishëm. Anëtarësimi në NATO është vendimi jonë sovran për të cilën ka mbështetje mbipartiake dhe konsensus ndëretnik. Kjo për ne nënkupton arritjen e një qëllimi historik. Për dhjetë ditë e presim vendimin nga Brukseli, fillimin e negociatave për anëtarësim ne BE. Besoj se lajmi i mirë nga Brukseli do të ndikojë mirë në të gjithë rajonin"-pohoi Zoran Zaev, kryeministër.

"Vizita e sekretarit shtetëror të SHBA-ve Majkëll Pempeo në Ohër u shoqërua me masa të rrepta sigurie, forca të shtuara policore dhe regjim të veçantë lëvizjeje. Kjo është vizita e dytë e një sekretari shtetëror amerikan në vend që pas vizitës së Kolin Pauell në vitin 2001, në periudhën e konfliktit".

Turneu i vizitave të Pompeut ka filluar në Itali dhe Mal të Zi kurse pas Maqedonisë së Veriut, ai do të vizitojë Greqinë. Kjo vizitë korrespondon edhe me shënimin e 25 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-ve dhe Maqedonisë së Veriut.

Shtuar më 04/10/2019, ora 18:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori