Polemikat për mandatin diktojnë në ndryshimin e Kushtetutës
Interpretimet e ndryshme që i bëhen Kushtetutës duke filluar që nga dhënia e mandatit partive për formimin e qeverisë së re, e deri te çështjet e tjera që më parë kanë nxitur polemika nga më të ndryshmet, kanë hapur debatin nëse duhet të iniciohen ndryshime në aktin më të lartë juridik në Maqedoni, shkruan "REL".

Ekspertet e çështjeve kushtetuese, thonë se shumë çështje nuk janë saktësuar si duhet, andaj edhe lënë hapësirë për interpretime të ndryshme.

Debatet për nevojën e ndryshimeve kushtetuese kanë lindur që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, në vitin 2001 dhe mossaktësimit të pozitës së shqiptarëve në shtet, por edhe për çështjeve tjera, si miratimi i buxhetin dhe bllokimi i debateve për ligje tjera pasi partitë, për të pamundësuar miratimin e tyre, paraqitnin mijëra amendamente, për shqyrtimin e të cilëve nevojiteshin mua të tërë.

"Ka një kohë të gjatë që ndihet nevoja për një gjë të tillë pasi në Kushtetutën tonë ka shumë boshllëqe. Thuajse çdo institucion i paraparë me Kushtetutë ka shumë të mangësi në funksionimin normal, përfshirë edhe kreun e shtetit.

Këtu nuk janë paraparë aktet përmes së cilave presidenti ushtron funksionin e tij. Ai parasheh vetëm dekretin, por jo edhe akte tjera në marrjen e vendimeve.

Probleme ka edhe për çështje që kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën, mes tyre ka paqartësi dhe kundërthënie në zbatimin e pikave e saj", thotë Svetomir Shkariç, njohës i çështjeve kushtetuese dhe profesor në Universitetin e Shkupit.

Ai më tej ndalet në problemin e fundit lidhur me formimin e qeverisë së re dhe atë se cilës parti duhet t’i jepet mandati për dështimit të bisedimeve me VMRO DPMNE-së, së Nikolla Gruevski
dhe BDI¬së, së Ali Ahmetit.

"Presidenti nuk guxonte që t’i jepte mandatin partisë fituese, por partive që ta njoftimin se kanë siguruar shumicën parlamentare. Ai bëri gabim duke u përcaktuar për partinë që nuk kishte fituar shumicën për të formuar qeverinë e vetme.

Presidenti duhej të ftonte të gjitha partitë dhe t’ua bënte me dije se mandati do t’i jepet asaj partie që e njofton se ka siguruar shumicën e nevojshme", vlerëson Shkariç.

Për nevojën e saktësimit të disa normave kushtetuese flet edhe Mersim Maksuti, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Tetovës. Ai thotë se me mos respektimin e normës së përcaktuar qartë apo nenit 90 të kushtetutës i cili parasheh që mandati ti jepet asaj partie apo koalicioni që siguron shumicën në Kuvend, Presidenti ka bërë shkelje flagrante të kushtetutës.

"Presidenti Ivanov nuk e respektoi këtë dispozitë të kushtetutës. E drejta do të ishte që Presidenti në dhjetëditëshin e parë të afatit kushtetues të përcaktonte për mandatar kandidatin e partitë apo të koalicionit që do të siguronte shumicën në Kuvend.

Pra atëherë ai duhej të bënte konsultime me të gjitha subjektet politike dhe ai që do të siguronte shumicën edhe ti jepej mandati. Këtë ai nuk zbatoi duke bërë një shkelje të kushtetutës", shprehet Maksuti.

Ai thekson nevojën e një përcaktimi të ri të këtij neni, që të mos përsëriten rastet e tilla, apo të thuhet qartë se në rast të dështimit të partisë për formimin e qeverisë, mandati t’i kaloj partisë së dytë që ka fituar numrin më të madh të deputetëve në Kuvend, e kështu me radhë.

Sipas Maksutit, me ndryshimet eventuale duhet të përcaktohen edhe çështje tjera, në veçanti ato që kanë të bëjnë me pozitën e shqiptarëve, siç është definimi i gjuhës shqipe, përdorimi i
simboleve kombëtare, por edhe definimi me kushtetutë i shqiptarëve si popull shtetformues në
Maqedoni.

Por, ekspertët theksojnë nevojën e pasjes së një konsensusi të gjerë për ndryshime kushtetuese pasi ato nuk mund të miratohen pas dy të tretat e votave në Kuvend. /albeu.com/

Shtuar më 05/02/2017, ora 10:13

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori