Podgorcë, "Zëri" letër Nishanit: Mbroni të drejtat e shqiptarëve
Lëvizja Qytetare "Zëri" nga Struga i është drejtuar me një letër të hapur presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani, lidhur me problemin e arsimit shqip në fshatin Podgorcë të Strugës.

"Zëri" ka njoftuar presidentin shqiptar me revoltën e fshatarëve të Podgorcës dhe të shqiptarëve të Strugës, që vjen si pasojë e kundërshtimeve të MASH-it për mbylljen e paraleles shqipe në Podgorcë.

"Ministria e Arsimit e Republikës se Maqedonisë ditëve të fundit solli vendim që të mbyllen paralelet ne gjuhën shqipe si dhe për tre vite me radhë nuk njeh dëftesat e nxënësve shqiptar të fshatit Podgorcë. Ky akt është në kundërshtim me vullnetin e nxënësve dhe prindërve të cilët kërkojnë qe të respektohet vullneti i tyre si dhe e drejta kushtetuese për të studiuar në gjuhen amtare dhe jo maqedonase.

Kërkesat e prindërve shqiptar për tre vite me radhë kanë hasur në vesh të shurdhër edhe nga klasa politike shqiptare e këtushme e cila nuk ka mundur të realizoj të drejtën e tyre kushtetuese për mos mbylljen e paraleleve shqipe në fshatin Podgorcë të Strugës", ka shkruar "Zëri".

Kjo organizatë thirret në Kushtetutën e Shqipërisë dhe kërkon nga presidenti Nishani të reagojë lidhur me këtë vendim të Ministrisë.

"Lëvizja Qytetare Zëri në emër të popullit shqiptar të R.M. si dhe në emër të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në të cilën thuhet: neni 8 alinea 1 "Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj", kërkon nga ju z. President si garantues i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë që ne kuadër te kompetencave tua të reagoni për mos mbylljen e paraleleve në gjuhën shqipe si dhe në mbrojtje të të drejtave kombëtare të shqiptarëve në fshatin Podgorcë dhe më gjerë", thuhet në letrën drejtuar presidentit shqiptar. /albeu.com/
Shtuar më 09/09/2012, ora 12:34

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori