Podgorca e Strugës si Kosova në kohën e Millosheviqit
Të përballur me vendosmërinë e pushtetit për të mos lejuar mësimin shqip, lufta e Podgorcës për të ruajtur gjuhën e të parëve po merr elemente të paralelizmit dhe vetëfinancimit, metoda që përdornin shqiptarët e Kosovës për të ruajtur shkollat e tyre nga regjimi i Millosheviqit.

Prindët e nxënësve të Podgorcës së Strugës po mundohen të gjejnë forma të ndryshme të ruajnë mësimin shqip në fshatin e tyre. Ata nuk kanë ndërmend të dorëzohen në luftën që po zhvillojnë me pushtetin aktual në Maqedoni, i cili me çdo kusht po mundohet të ndalojë shqipen në këtë fshat.

Ata kanë hapur Fondacionin "SHKOLLA SHQIP NË PODGORCË" për grumbullimin e mjeteve të nevojshme për mosmbylljen e paraleleve shqipe, shkruan "Lajm" nga Shkupi.

Me këtë lufta e tyre por të ruajtur gjuhën shqipe po merr elemente të paralelizmit dhe vetefinancimit, metoda që përdornin shqiptarët e Kosovës për të ruajtur shkollat e tyre nga regjimi i Millosheviqit.

"Neve qytetarëve shqiptarë të fshatit Podgorcë të Strugës, na mohohet e drejta kushtetuese për shkollim në gjuhën amtare. Dëshirojmë ta informojmë opinionin më të gjërë se në Podgorcë ka pasur shkollë shqipe qysh në fillim të vitit 1941.Ne kemi 21 nxënës të gatshëm të mësojnë në gjuhën shqipe, që nga klasa e parë deri në klasën e katërt. Duke mos pasur mundësi që fëmijet tanë 7-10 vjeç, të udhëtojnë në një fshat tjetër, ne jemi të vendosur që fëmijët tanë të mësojnë shqip në fshatin e tyre-Podgorcë", thuhet në reagimin e prindërve.

Në kohën kur edhe pushteti nuk jep sinjale se do të lëshojë pe në qëllimin për të mos lejuar mësimin shqip në këtë fshat, prindërit e fëmijëve shqiptarë të Podgorcit i drejtohen për ndihmë opinionit progresiv shqiptar dhe më gjërë për NDIHMË.

"Fondacioni SHKOLLA SHQIP NË PODGORCË", ka hapur xhirollogarinë e vet. Në këtë xhirollogari mundet të deponohen mjetë në valutë devizore dhe në denarë. Xhirollogaria hapet pë mbulim të shpenzimeve për dy arsimtarë të kualifikuar, si dhe shpenzime të tjerë për mbarëvajtjen e procesit edukativo arsimor në të dy paralelet e hapura.

Xhirollogaria hapet për vitin shkollor 2012-2013. Me arritjen e limitit të mjeteve të nevojshëm, xhirollogaria do të shuhet. Përgjegjës për disponim me mjetet e grumbulluara do të jetë Këshilli i prindërve të nxënësve. Personi i autorizuar për nënshkrim është një nënë,dhe zëvendësja e saj", thuhet në reagim, ku është shkruar edhe NUMRI I XHIROLLOGARISË: 210-5016591687.53. /albeu.com/
Shtuar më 18/09/2012, ora 16:20

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori