Po mbushen kapacitetet spitalore, Filipçe paralajmëroi rritje të termineve për testime
Po mbushen kapacitetet spitalore për akomodim të pacientëve të sëmurë nga Kovid-19 në të gjitha qytetet e vendit, ndërsa gradualisht mbushet edhe spitali modular në Shkup ku në ditët e fundit te ne dhe në Evropë është shënuar rritje e numrit të rasteve të reja.

Katërqind e katër të saposëmurë nga Kovid-19 janë regjistruar dje në vend. Dje ishin bërë 1524 testime, të vdekur ishin 14 persona, të gjithë të hospitalizuar. Instituti për shëndet publik dje ka regjistruar 182 pacientë të shëruar.

Numri i tërësishëm i të diagnostofikuarve me Kovid-19 në vendin tonë nga fillimi i epidemisë arrin 26.394, shifra e pacientëve të shëruar është 897, ndërsa për momentin numri i rasteve aktive në vend arrin 7067.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe dje ka informuar se edhe krahas kapaciteteve në qytetet tjera edhe spitalet në Shkup po mbushen me kovid-pacientë, ndërsa gradualisht mbushet edhe spitali modular në Shkup.

“Për shkak të kapaciteteve të plota për akomodim të pacientëve me kovid në koordinim të tërësishëm jemi për transferim të pacientëve nga spitali i Shtipit në Koçan, ndërsa këtu, në Strumicë, biseduam për atë se si të plotësohet kuadri, para se gjithash, nga kolegët e mjekësisë interne dhe repartit infektiv. Biseduam edhe si gradualisht të përgatitet edhe dega e re e spitalit, e cila tërësisht është pajisur me shtretër dhe me furnizim qendror të oksigjenit dhe për disa ditë mund të vihet në funksion”, tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe gjatë vizitës së djeshme në spitalin e Strumicës.

Theksoi se në degën e re të spitalit ka qindra shtretër, por duhet në mënyrë përkatëse të sistemohet kuadri.

“Presioni është me të vërtetë i madh dhe shpresoj se masat të cilat i rekomanduam do të kontribuojnë të zvogëlohet transmisioni i virusit. Shikojmë se në të gjithë Evropën po stërmbushen praktikisht kapacitetet spitalore. Kjo është ajo që të gjitha vendet duan ta shmangin. Kjo ishte biseduan në mbledhjen para dy ditëve në suaza të procesit berlinas qëllimi i së cilës është të shmangen “lok daun” mbylljet e tërësishme, nënvizoi Filipçe.

Ka informuar se edhe spitalet në Shkup janë të stërmbushura me kovid-pacientë, ndërsa gradualisht po mbushet edhe spitali modular në Shkup.

“Bëhen përgatitje për spitalin në Kozle dhe kapacitete plotësuese në spitalin “8 Shtatori”, tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Edhe njëherë ka potencuar se masat e tanishme, të cilat tani janë në fuqi, kanë për qëllim të limitojnë ndonjë forme të orës policore, gjegjësisht limitim i kontakteve, mbajtja e maskës dhe shmangia e grupimeve.

Sipas buletinit të djeshëm të Ministrisë së Shëndetësisë në Klinikën Infektive gjithsej janë hospitalizuar 134 pacientë. Në mbështetje të oksigjenit janë 92 pacientë, nuk ka pacientë në ventilim mekanik.

Në spitalin në Kozle janë hospitalizuar pesë fëmijë dhe tetë nëna pozitive, dy nëna të dyshimta me Kovid-19, nuk ka fëmijë të hospitalizuar të dyshimtë me virus. Në SPQ “8 Shtatori” gjtihsej janë hospitalizuar 46 pacientë. Në aparat respirator janë dy pacientë.

Në spitalin në Manastir janë hospitalizuar 52, ndërsa në spitalin në Shtip janë 50 pacientë. Në repartet infektive në Tetovë, Ohër, Veles, Kumanovë, Prilep, Gostivar, Strumicë, Strugë, Koçan dhe Kavadar janë hospitalizuar 298 raste pozitive dhe të dyshimtë me Kovid-19.

Për shkak të përforcimit të kapaciteteve tashmë është paralajmëruar vendosja e 16 mini Kovid reparteve. Një pjesë e huasë nga Banka Botërore, e destinuar për përforcim të sistemit shëndetësor, e cila arrin 34 milion dollarë, do të shfrytëzohet pikërisht për këto 16 mini kovid reparte pranë të gjitha spitaleve, ku është identifikuar nevoja, si dhe për pajisje mjekësore në secilën nga këto kovid qendra me aparat mobil për rentgen, EHO-aparate dhe për numër përkatës të testimeve.

Filipçe paralajmëroi se do të rriten edhe terminet, por edhe numri i testimeve për Kovid-19. Është dhënë udhëzim në të gjitha laboratoritë gjatë fundjavës të ketë termine plotësuese dhe të mos ketë zvogëlim të numrit të testimeve.

Drejtori i Qendrës për Shëndet Publik Aleksandar Stojanov dje në intervistë për MIA-n në lidhje me vërejtjet në periudhën e fundit se nuk ka termine të mjaftueshme për testime dhe se qytetarët presin nga një javë e më shumë potencoi se sipas protokollit për testim kontaktet e rasteve pozitive vihen në izolim 14 ditë dhe nëse në këtë periudhë paraqesin simptome atëherë testohen edhe pa dallim të rezultatit, për shkak të inkubacionit të vazhduar, vazhdojnë me izolimin ndërsa rastet pozitive mbesin në izolim 10 ditë.

Në lidhje me atë nëse në vend ka kuadër të mjaftueshëm për t’i zbatuar testimet Stojanov thekson se kuadri mjekësor i cili punon në laboratoritë dhe të tjerët në sektorin e shëndetësisë snjëherë nuk janë të mjaftueshëm.

“Edhe punonjësit shëndetësor sëmuren, kanë probleme të ndryshme shëndetësore, gratë mbesin shtatzëna, aparatet prishen, servisohen dhe gjithë kjo e ngadalëson punën dhe dhënien e rezultateve. Për atë apelohet të respektohen masat që të mos rëndohet shumë sistemi shëndetësor që të mund të jepet përgjigje në të gjitha kërkesat”, theksoi Stojanov për MIA-n.
Shtuar më 25/10/2020, ora 16:35

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori