Shenjat kur tiroidja nuk funksionon siç duhet, mjekja endokrinologe: Çfarë ndodh nëse neglizhohen këto simptoma

Këputje trupi, lodhje që vjen dhe shtohet gradualisht për muaj dhe vite me radhë, mungesë energjie për kryerjen e aktivitetit të përditshëm, përgjumje, shtim në peshë, të rrahura të ngadalta të zemrës, luhatje të tensionit arterial, çrregullime të jashtëqitjes si konstipacion janë vetëm disa prej shenjave që tregojnë se diçka nuk është duke shkuar mirë me gjëndrën tiroide. Sipas mjekes endokrinologe Marjeta Kermaj, në këtë rast kemi të bëjmë me hipotiroidizim, që nënkupton funksionin e ulët të tiroides.

Shenjat që vë në dukje doktoresha nisin të shfaqen kur 90 për qind e gjëndrës është shkatërruar. Duhet thënë se krahas faktorit gjenetik, të tjerë faktorë që mund të nxisin problemet shëndetësore, të cilat lidhen me sistemin imunitar, cilësohen stresi dhe regjimi ushqimor.

Si mund ta kuptojmë që kemi probleme me gjëndrën tiroide? Çfarë shqetësimesh shfaq në momentin që nuk funksionon siç duhet?

Gjëndra e tiroides ka një rëndësi mjaft të madhe për organizmin tonë. Hormonet që kjo gjëndër prodhon T3 (trijodtironina) dhe T4 (tiroksina), ndikojnë në ritmin e metabolizmit qelizor dhe si rezultat, funksioni i shtuar apo i pakësuar i tiroides do reflektohej në shtimin apo pakësimin e ritmit metabolik qelizor dhe të gjitha shenjat apo ankesat e pacientit do lidheshin pikërisht me këtë gjë.

Si mund ta dallojë një pacient që tiroidja e tij nuk po funksionon siç duhet?

Është e rëndësishme të dihet nga të gjithë që problemet e gjëndrës tiroide (sidomos pakësimi i funksionit të saj), mund të zhvillohen në mënyrë graduale (për muaj dhe vite me radhë) dhe me shenja jo specifike p.sh: Kur funksioni i tiroides është i pakësuar (në terma mjekësore quhet hipotiroidizëm) shenjat janë: këputje trupi, lodhje që vjen dhe shtohet gradualisht për muaj dhe vite me radhë, mungesë energjie për kryerjen e aktivitetit të përditshëm, përgjumje, shtim në peshë, të rrahura të ngadalta të zemrës (bradikardi), luhatje të tensionit arterial, çrregullime të jashtëqitjes si konstipacion, ndjenjë të ftohti të pajustifikuar me temperaturën e ambientit, tharje të lëkurës, rënie të flokëve apo tharje dhe humbje të shkëlqimit të tyre, trashje të zërit dhe të folur të ngadaltë, çrregullime emocionale deri në depresion, çrregullime të ciklit menstrual te femrat, infertilitet apo aborte spontane etj..

Ndërkohë, kur funksioni i tiroides është i shtuar (në terma mjekësore quhet hipertiroidizëm), shenjat që shfaqen janë: rënie e shprehur në peshë për një periudhë të shkurtër kohe, pavarësisht se oreksi mund të jetë i shtuar, dridhje të duarve, djersitje të shtuar, ndjenjë vape të pajustifikuar me temperaturën e ambientit, diarre, nervozizëm, ankth, pagjumësi, rrahje të shpeshta të zemrës (takikardi) dhe luhatje të tensionit arterial, osteoporozë, çrregullime të ciklit menstrual te femrat deri infertilitet. Mund të ndodhin ndryshime në sy, si dalje e tyre përpara, ndoshta fillimisht e njërit sy dhe më pas e të dyve, ose njëkohësisht e të dyve që në fillim, skuqje dhe ënjtje e kapakëve të syve etj..

Shpjegova shenjat që lidhen me funksionin e tiroides, pra kur ajo punon më pak ose më shumë se norma, por ka probleme të tjera të tiroides që nuk lidhen me sasinë e hormoneve që ajo prodhon, pra, funksionin e ka normal. Një arsye që mund ta shqetësojë një pacient është zmadhimi gradual apo i shpejtë në mënyrë uniforme e tiroides (struma difuze) ose prekja e një apo disa nodujve (kokrrave) në regjionin e tiroides, që në terma mjekësore quhen strumanodulare apo struma multinodulare, apo noduj në pjesën anësore të qafës (kur për shkak të tiroides zmadhohen dhe limfonodujt e qafës).

Në disa raste, zmadhimi i tiroides në mënyrë uniforme apo me kokrra mund të shoqërohet me vështirësi në frymëmarrje, vështirësi në gëlltitje apo ngjirje zëri. Kjo situatë ndodh pasi tiroidja ka një raport të ngushtë anatomik me strukturat e tjera të qafës, si: rrugët e frymëmarrjes, rrugët e ushqyerjes, nervat dhe enët e gjakut. Zmadhimi i saj mund të jetë kaq i madh, me shtrirje në pjesën anësore të qafës dhe poshtë në brendësi të kafazit të kraharorit, duke i shtypur dhe spostuar strukturat anatomike fqinje që përmenda me lart, me pasojat përkatëse që kanë nevojë urgjente për zgjidhje.

Çfarë ndodh nëse neglizhohen këto simptoma?

Nëse shenjat do neglizhohen dhe do kërkohet një justifikim nga vetë pacienti për ndodhinë e tyre, duke i lidhur ato me lodhjen dhe stresin e përditshëm, prishjen e regjimit ushqimor apo me ndonjë gjendje gripale, atëherë sëmundja do progresojë dhe mund të lërë dëmtime, të cilat mund të rikuperohen me vështirësi ose të mos kenë më zgjidhje.

Në rastin e hipotiroidizmit, cilët janë faktorët që ndikojnë?

Hipotiroidizmi, siç e kam thënë më lart, nënkupton funksionin e ulur të tiroides, pra ritmi metabolik i çdo qelize në trupin tonë pakësohet. Shkaqet mund të jenë disa, por shkaku me i shpeshtë që hasim në praktikën e përditshme klinike, që çon në uljen e funksionit të tiroides, është tiroiditi kronik limfocitar ose siç njihet më shumë, Tiroiditi Hashimoto (për nder të mjekut që e ka zbuluar atë).

Sistemi imunitar i një individi të caktuar, për arsye të panjohura nuk e njeh më gjëndrën tiroide si pjesë të trupit dhe nis e lufton duke prodhuar antitrupa ndaj tiroides (Tiroidperoxidaze antikorp, Tiroglobuline antikorp), deri në shkatërrim të plotë të saj. Në momentin që shkatërrohet 90% e gjëndrës, nisin dhe shenjat e sëmundjes. Mendohet që stresi dhe regjimi ushqimor jo i shëndetshëm janë dy faktorë mjaft të rëndësishëm, që mund të prishin ekuilibrin imunitar të trupit dhe të nxisin gjithë problemet shëndetësore që lidhen me sistemin imunitar, ku një prej tyre është dhe Tiroiditi Hashimoto. Vihet re që incidenca e hipotiroidizmit është më e lartë në gjininë femërore se atë mashkullore, kjo incidencë rritet me rritjen e moshës, duke kulmuar rreth moshës 55-60 vjeç.

Hipotiroidizmi mund të haset në disa persona në një familje, duke treguar për rolin e faktorëve gjenetikë në zhvillimin e sëmundjeve të tiroides. Nga ana tjetër, deficenca e jodit në ushqimin e përditshëm (fatkeqësisht, vendi ynë pavarësisht politikave ndërhyrëse shëndetësore, bën pjesë ende në vendet me deficencë jodike), përben një faktor mjaft të rëndësishëm për funksionin e gjëndrës tiroide. Jodi është element bazë për sintezën e hormoneve të tiroides e si pasojë, deficenca e tij do pasohej nga keqfunksionimi i tiroides, zakonisht hipotiroidizëm. Shkaqe të tjera që mund të çojnë në hipotiroidizëm janë shkaqet jatrogjene: mjekimi i hipertiroidizmit me dozë më të lartë sesa duhet, të antitiroidieneve, mosmarrja e hormonit të tiroides në dozën zëvendësuese pas operacionit të tiroides (tiroidektomi totale për shkak të kancerit të tiroides) apo mjekimit me jod radioaktiv, përdorimi i medikamenteve me përmbajtje jodi, si amiodaroni, produkteve me kontrast të joduarapo medikamenteve të tjera, që dëmtojnë funksionin e tiroides si: karbont litiumi, interferoni, hidantoina etj.

Nuk duhen harruar shkaqet virale, sidomos në periudhën e virozave (pranverë, vjeshtë), ku viruset mund të prekin dhe gjëndrën tiroide, duke shkaktuar dhimbje në pjesën e përparme të qafës që përhapet në drejtim të veshit, me temperaturë të lartë, sidomos mbasdite, dhe shenjat e tjera të hipertiroidizmit të përshkruara më parë. Mbas fazës së hipertiroidizmit mundet të instalohet në vazhdimësi hipotiroidizmi. Hipotiroidizmi, rrallëherë mund të jetë dhe i lindur.

Në cilat grupmosha ka predispozitë të shfaqet?

Problemet e tiroides mund të zhvillohen në të gjitha grupmoshat, por me disa kulme në disa periudha të caktuara të jetës, si në pubertet, shtatzëni, menopauzë, pra janë këto periudha të jetës kur kërkesat për hormonet e tiroides si dhe ekuilibrat hormonale ndryshojnë dhe problemet e saj bëhen të dukshme.

Si trajtohet dhe çfarë peshe ka regjimi ushqimor?

Nëse tiroidja punon më tepër se normalisht (hipertiroidizëm), atëherë trajtohet me medikamente që ulin sintezën e hormoneve të tiroides (antitiroidienet e sintezës). Nëse tiroidja punon më pak se normalisht (hipotiroidizëm), atëherë jepet hormoni i tiroides. Sot në tregun farmaceutik është i disponueshëm hormoni sintetik i tiroides (levotiroksina, trijod tironina). Dozat e tyre përcaktohen nga mjeku endokrinolog, në varësi të analizave laboratorike (TSH,FT3,FT4).

Ushqimi ka rëndësinë e vetë në funksionin e mirë të tiroides dhe pikërisht në sasinë e jodit, seleniumit që ai përmban. Siç e thashë dhe më parë, vendi ynë ende bën pjesë në vendet me deficencë jodike, ndaj, krahas kripës së jodizuar, duhen konsumuar edhe ushqimet me përmbajtje jodi si: peshku (merluc, salmoni, sardele); bulmeti (qumështi organik, kosi djathi); soja e fortifikuar me jodin etj.; ushqime me përmbajtje seleniumi, ku vendin e parë e zënë arrat braziliane, peshku, mishi (viçit, derrit, pulës), veza, kërpudhat, farat e lulediellit, oriz kaf etj.. Kujdes duhet pasur në konsumimin e ushqimeve strumogjene (janë ushqimet që përmbajnë disa substanca që frenojnë tiroiden të funksionojë normalisht) p.sh.: lakra, lulelakra, brokoli, panxhari, rrepa, karota, pjeshka, gështenjat, mango, fasulet etj..

Së fundmi, disa këshilla për lexuesit? Nëse do keni ndonjë nga shqetësimet e mësipërme, duhet të paraqiteni te mjeku i familjes për një kontroll mjekësor, midis të cilave të kontrollohet edhe tiroidja. Nëse rezultojnë probleme të tiroides, duhet të komunikoni sa më shpejt me një mjek endokrinolog, për të marrë diagnozën dhe mjekimin e duhur. Deficenca jodike është shkaku kryesor i parandalueshëm i prapambetjes mendore, përgjegjëse për uljen në 13% të IQ te fëmija, ndaj OBSH-ja (Organizata Botërore e Shëndetësisë) rekomandon që të merret 150 mg/ditë jodinë te të gjitha femrat në moshë riprodhuese (15-49 vjeç) dhe 250 mg/ditë jodinë gjatë shtatzënisë dhe laktacionit.

Nëse suplementet prenatale kanë 150-200 mg jodinë, pjesën tjetër e plotësoni nëpërmjet kripës së jodizuar dhe ushqimeve të pasura me jodinë. Pse është kaq i rëndësishëm jodi dhe funksioni normal i tiroides së nënës gjatë shtatzënisë? Tre muajt e parë të shtatzënisë, zhvillimi i fetusit varet nga hormonet që prodhon tiroidja e nënës, pasi tiroidja e fetusit nis të funksionojë javën e 12-t% të shtatzënisë. Pra, nëse jeni një vajzë e re që po planifikoni për shtatzëni, duhet të konsultoheni me mjekun për vlerësim të funksionit të gjëndrës tiroide. Një tiroide e shëndetshme nënkupton një shtatzëni dhe fëmijë të shëndetshëm.