Petrovski kundër Mickoskit: Je marionetë e Gruevskit
Zgjedhja e Hristijan Mickovskit për kryetar të ri të VMRO-DPMNE-së, ka nxitur reagime tek eksponentët e kësaj partie. Anëtari i vjetër i kësaj partie, Filip Petrovski, kryetarin e ri e quajti marionetë të Nikolla Gruevskit, transmeton Express.
Sipas tij me zgjedhjen e Mickovskit për kryetar partie në VMRO-DPMNE nuk do të ketë demokratizim.

“Zotëri Gruevski ju na keni dhënë thikë pas shpine, ju na vendosët njeri me dhunë i cili nuk ka lidhje me VMRO-në. Ju ata që i fituan zgjedhjet si një Ilija Dimovski, Antonio Milloshovski, si Nikolla Todorov i cili e udhëhiqte shtabin, thoni që ishin kundër jush pasi që nuk e kanë dëgjuar vullnetin tuaj perandorak, ndërsa ata që i kanë humbur zgjedhjet siç është Mickovski dhe Spiro Ristevski doni që t’i shpërbleni me atë që t’i vendosni aty ku ju do të qëndroni si kryetar nderi”, tha Filip Petrovski, VMRO-DPMNE.

E kryetari i ri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski në fjalimin e tij të parë si kryetar partie tha se nuk do të jetë marionetë e askujt dhe se do të punojë për bashkimin e anëtarësisë.

“Kundërshtari im është Lidhja Social-Demokrate, e jo individë dhe grupe të vogla në VMRO-DPMNE. Do të përpiqem të vendos krejtësisht një sistem të ri të funksionimit. Një ritëm të fuqishëm pune. Do të pranoj këshilla nga të gjithë, ju premtoj se do të marrim vendime së bashku. Do të luftoj me gjithë forcën time, njohuritë e mia për idenë tonë të përbashkët. Nuk do të ju zhgënjej”, tha Kryetari i ri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Ndërkohë që përkrahje për Mickovskin ka shprehur ish-kryetari i VMRO-DPMNE-së, Lubço Georgievski i cili përmes një statusi në profilin e tij të “Fejsbukut”, thotë se duhet t’i jepet një shans Mickovskit. “Hristijan Mickovski nga të gjitha emrat të cilat ishin kandidat për kryetar të VMRO-DPMNE-së është më i pa korruptuari, i papërlyer me afera, më energjik dhe më karizmatik. Hristijani ka shanse të vendosë vulën e tij në VMRO-DPMNE. Duhet që t’i jepet shansi”, u shpreh Lubço Georgievski, ish kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Lideri i ri i VMRO-DPMNE-së mbrëmë u zgjodh nga 376 delegatë nga gjithsej 438 që ishin të pranishëm. Sipas informacioneve nga ana e delegatëve, ka pasur 52 fletëvotime të pavlefshme, asnjë kundër, pasi që në fletën e votimit nuk ka pasur opsion kundër por vetëm “PËR” DHE ‘’X”. Rreth 30 fletëvotime të parrethuara dhe të pavlefshme janë rrethuar pas numërimit dhe se janë vendosur në numrin “Për”, thonë burimet nga delegatët e pranishëm në kongres. Sipas tyre është konfuze ajo se një ditë para se të votohet janë regjistruar 411 delegatë, ndërsa në ditën e votimit janë regjistruar 438. Një pjesë e madhe e anëtarëve të VMRO-DPMNE-së kongresin e djeshëm e quajnë jo-legjitim dhe kontrovers./Express
Shtuar më 24/12/2017, ora 20:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori