Përfaqësuesit e Maqedonisë kërkojnë mbështetje për hyrjen në NATO
Dje në Uashington në Hotelin Hilton është mbajtur Mëngjesi i Lutjes, me pjesëmarrjen e mbi 3.500 liderëve politikënga e gjithë bota. I pranishëm ishte edhe Presidenti i SHBA-së Barak Obama dhe zonjën e parë, nënkryetar Xho Bajden dhe sekretari i Shtetit, Xhon Keri, ndërsa si folës kryesor është emëruar Raxhiv Shah, drejtor i Agjencisë për ndihmë ndërkombëtare USAID.

Tubimi tradicional këtë vit shënonte 62-vjetorin e tij. Maqedonia është përfaqësuar nga ish-zonja e parë Vilma Trajkovska, delegacioni i Kuvendit i kryesuar nga nga nënkryetarja e Kuvendit, Suzana Saliu dhe ish-kryetari i Qeverisë, Vllado Buçkovski.

Kongresmeni republikan Robert Aderholt, anëtar i Komisionit për mbrojtje të Dhomës përfaqësuese të SHBA-së gjatë takimit me përfaqësuesit e maqedonisë theksoi se pranimi i Maqedonisë në NATO është shumë i rëndësishëm për stabilitet në rajon, njofton MIA.

"Mendoj se pranimi juaj në NATO është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e këtij rajoni. Maqedonia është me të vërtetë perlë ndër shtetet e Ballkanit dhe duke pasur mundësi të udhëtoj shumë atje nga pikëvështrimi i SHBA-së e di se shumë amerikanë e mbështesin fuqishëm Maqedoninë", deklaroi Robert Aderholt.

Përfaqësuesit e Maqedonisë temë kryesore gjatë bisedimeve të tyre kanë patur pranimin e Maqedonisë në NATO.

Rëndësinë e integrimeve e theksoi edhe nënkryetarja e Kuvendit, Suzana Saliu, në deklaratën e saj pas takimit me kongresistin Miler.

Ndërsa deputeti Vladimir Gjorqev i VMRO-DPMNE pas takimeve theksoi se këto kanë qenë mundësi që të paraqiten pozicionet e Maqedonisë në kontestin për emrin.

Ish-kryeministri Buçkovski shprehet se shpresat për zgjerim në samitin në Njuport i cili do të mbahet në shtator janë të vogla, si për Maqedoninë ashtu edhe për Malin e Zi.

"Sipas informacioneve që i grumbullojmë në takimet e shumta joformale, lufton edhe Mali i Zi dhe nuk është e sigurt nëse do ta marrë ftesën. Ne jemi vendosur në situatën në të cilën jemi që nga samiti i Bukureshtit në vitin 2008 e deri më sot", deklaroi Buçkovski.

Në mëngjesin e punës ishte i pranishëm edhe presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani dhe Presidenti i Haitit, Mishel Marteli. /albeu.com/
Shtuar më 07/02/2014, ora 10:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori