Përfaqësimi i drejtë, akoma larg
Ministritë, që në këtë qeveri drejtohen për herë të parë nga kuadrot shqiptarët, nuk kanë përfillur aspak përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. Bëhet fjalë për Sekretariatin për Çështje Evropiane që sot e drejton Teuta Arifi, si dhe Ministrinë e Mbrojtjes nga Fatmir Besimi. Zyrtarët shqiptarë i kanë gjetur këto dikastere në gjendje të mjerueshme, përsa i përket përfaqësimit.

Zv/kryeministrja Teuta Arifi e pranon një situatë të tillë por angazhohet se do të bëjë përpjekje që ajo të ndryshojë.
“Për fat të keq ajo që kam gjetur nuk ishte ajo që duhej të ishte, duke pas parasysh faktin që megjithatë është një sektorë në të cilin partitë politike shqiptare nuk kanë pasur ndonjëherë mundësi për qasje politike dhe konsideroj se do të ndjekim logjikën e realizimit të përfaqësimit të drejtë, duke u bazuar gjithsesi në elementet kualitative të atyre të cilët duhet të gjejnë vend këtu duke pasur gjithnjë parasysh faktin se natyra e punës në këtë sektorë, është një natyrë e cila kërkon një profilim kualitativ pak më ndryshe, mirëpo kjo nuk është arsyeja për të mbetur kaq i boshatisur siç është deri tani”, deklaroi Teuta Arifi, zv/ kryeministër për çështje evropiane.

Ndërkohë analisti Albert Musliu vlerëson se pala maqedonase, përfaqësimin e drejtë dhe adekuatë e ka trajtuar gjithnjë si çështje që i takon palës shqiptare dhe asnjëherë nuk e ka konsideruar si obligim shtetëror dhe kushtetues.
“Fatkeqësisht qysh prej nënshkrimit të MO-së dhe ndërrimeve kushtetuese, pala maqedonase përfaqësimin e drejtë e ka marrë kushtimisht thënë si punë e shqiptarëve dhe nuk e ka marrë seriozisht si obligim shtetëror, kushtetues edhe ligjorë. Prandaj edhe na mungon ndonjë plan aksionarë i cili do tu shpërndaheshe në mënyrë efektive gjithë ministrive dhe konformë tij do të punonin por edhe do ti raportonin Sekretariatit për implementim të Marrëveshjes së Ohrit. Por si obligim duhet të ngrihet në nivel qeverisë me qëllim që ministritë ta marrin në mënyrë më serioze implementimin e sajë”, u shpreh Albert Musliu, analist politik.

Sipas Musliut, kur bëhet fjalë për përfaqësimin e drejtë dhe adekuatë, është më se e nevojshme që të bëhet një plan veprim që do të përfshinte jo vetëm ministritë por edhe Ndërmarrjet Publike, Drejtoritë dhe nivelet e tjera strukturore të pushtetit. /alsat-m/
Shtuar më 21/08/2011, ora 15:29

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori