Masakra në Klos, rëndohet situata e dy të plagosurve: Nisen drejt Tiranës

Rëndohet gjendja e personave të lënduar në masakrën e Klosit. Dy të plagosurit, Renato dhe Eglantin Hasula janë në duke u transportuar drejt spitalit të Traumës në Tiranë, pasi janë në gjendje të rëndë për jetën.

Autorët dyshohet se janë tre. Fatmir dhe Besnik Mjeshtri janë vënë në pranga, ndërsa Fiqiri Mjeshtri është vetëvrarë.

Konfliktet e vazhdueshme mes dy fiseve kanë sjelle një masakër në mes të Klosit.

Njoftimi i policisë:

Klos/Informacion paraprak

Në qytetin e Klosit, dyshohet se shtetasi F. M., 39 vjeç, në bashkëpunim me dy vëllezërit e tij, ka vrarë me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin K. Sh., 17 vjeç, si dhe kanë plagosur shtetasit I. Sh., 46 vjeç (babai i 17-vjeçarit), R. H., 14 vjeç dhe E. H., 39 vjeç (babë e bir).

Të tre të plagosurit janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore. Si pasojë e plagëve të marra, shtetasi I. Sh. ka humbur jetën në spital.

Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit kanë rrethuar zonën, kanë bllokuar hyrje-daljet e qytetit të Klosit dhe kanë ushtruar kontrolle në banesa, lokale dhe në ambiente të tjera.

Gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e Policisë kapën dhe shoqëruan në ambientet e Policisë, shtetasin F. M., 44 vjeç dhe vëllanë e tij, shtetasin B. M., bashkëpunëtorë në këtë ngjarje.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e Policisë kanë gjetur të pajetë, dyshohet të vetëvrarë, autorin kryesor të kësaj ngjarjeje, shtetasin F. M., 39 vjeç.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, vijon punën për sqarimin dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.