“Skema e rublave po funksionon,” Kremlini: Nuk do ta ndërpresim më tej furnizimin me gaz

Kremlini ka njoftuar se nuk pret që Gazprom të shkurtojë furnizimet me gaz për ndonjë klient tjetër evropian. Kompania ruse e energjisë tashmë ka ndaluar furnizimet në disa vende, duke përfshirë Poloninë dhe Finlandën, pasi ato refuzuan të bënin pagesa në monedhën ruse.

Por Kremlini thotë se skema e rublave, e krijuar në përgjigje të sanksioneve perëndimore, po funksionon siç synohet, sipas Reuters. Po ashtu, u njoftua se nuk është arritur asnjë marrëveshje me Turqinë për eksportimin e dërgesave të grurit ukrainas përmes Detit të Zi.

Turqia ka tentuar që të ndërmjetësojë një marrëveshje mes Rusisë dhe Ukrainës mbi një plan për të rifilluar eksportet e grurit nga portet ukrainase. Zëdhënësi i Presidentit Putin, Dmitry Peskov tha se puna në këtë drejtim po vijon.