PDSH e Strugës akuzon rëndë Ziadin Selën
Pëlqej
Në PDSH-në e Strugës vazhdojnë përplasjet mes kreut të partisë së degës së vënë nga Menduh Thaçi, Mendi Asani dhe kryetarit të komunës, Ziadin Sela.

Asani e ka akuzuar Selën për nepotizëm, korrupsion, pasurim të shpejtë përmes pushtetit e të tjera akuza të ngjashme, shkruan Ina.

Ja akuzat e Asanit kundër Ziadin Selës

1. Cilat janë raportet tuaja politike dhe financiare me investitorin në hotelin Izgrev dhe a lejuat ju të ndërtojë jashtë planit urbanistik për qëllime të tjera?

2. Cili është qëllimi i heqjes apo largimit të kioskave dhe a fshihet ndonjë qëllim financiar i juaj dhe i klikës suaj pas këtij aksioni?

3. Kush definitivisht udhëheq me parkingjet në qytetin e Strugës dhe pse jua prishët kontratat shfrytëzuesve të mëparshëm pa asnjë arsye?

4. Pse lejuat që ndërmarrja publike komunale të marrë hua nga ndërmarrjet private dhe cili është qëllimi i këtyre huave?

5. Pse lejoni mbi 10 vetura zyrtare të komunës dhe ndërmarrjeve publike të përdoren pa asnjë kriter si vetura private dhe çdo ditë edhe fundjavave të merren nëpër shtëpia nga të punësuarit (deri dje e kritikoje paraardhësin tënd për këtë dukuri)?

6. Kur definitivisht do të zgjidhni problemin me deponinë e Strugës, problematikë te cilen e kishit premtim parazgjedhor?

7. Cila ishte arsyeja që ish kryetarin e dëgës së PDSH-së z. Lavdrim Elmazin e degradove deri në atë masë sa që e shkarkuat nga kryetari i “degës suaj” dhe e larguat nga puna si i punësuar në komunë. Vallë as ky nuk dha kontribut për fitoren tuaj apo më meritorët janë familjarët tuaj me të cilët ju dilni në foto?

8. Kur do t’jua plotësoni premtimet aktivistëve të PDSH-së që i manipulove gjatë fushatës parazgjedhore të zgjedhjeve parlamentare me çka arrite qëllimin tënd që tradhtia të jetë më e madhe?

9. Kur do ti ndërroni emrat e rrugëve në qytetin e Strugës që të realizoni së paku vetëm një premtim politik para qytetarëve të Strugës? Mos harroni se edhe ky ishte premtimi juaj parazgjedhor!

10. Cila është arsyeja e koalicionimit politik me VMRO-DPMNE në këshillin komunal, kurse në anën tjetër shani çdo takim të të tjerëve me njerëz të VMRO-së, a nuk është kjo dyfytyrësi politike?

Reagimi i komunës së Strugës

I menjëhershëm ka qenë reagimi nga komuna, duke thënë se të gjitha çfarë janë thënë nga Asani janë shpifje dhe se këto shpifje do të përballen në gjykatë.

"Komuna e Strugës reagon ndaj disa zhurmuesve, që tashmë prej disa javësh shqetësojnë opinion publik të qytetit tonë dhe u themi : Mos i lodhni më njerëzit, ju nuk përfaqësoni asgjë! Kurse të dënuarit me kusht, për keqpërdorim te detyrës zyrtare dhe korrupsion , që paraqitet si i ashtuquajtur " kryetar dege" i themi: shpifjet e tua do te përballen me gjykatën”, thekson komuna e Strugës. /albeu.com/
Shtuar më 25/09/2014, ora 17:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori