I hapi rrugë Berishës? Helidon Bushati tërhiqet nga roli i drejtuesit politik të PD për Qarkun e Shkodrës

Deputeti demokrat Helidon Bushati është tërhequr nga roli i tij si Drejtuesit Politik i Partisë Demokratike për Qarkun e Shkodrës.

Lajmin ai e bëri vetë të ditur përmes një postimi në faqen e tij në Facebook.

Bushati bën të ditur se vendimi vjen pas një reflektimi të thellë rreth situatës politike dhe zhvillimeve të fundit në PD.

Bushati thotë se largimi i tij do i japë hapsirë demokratëve të tjerë dhe impulse të reja degës së PD-së së Shkodrës.

Mesazhi i Helidon Bushatit:

Të dashur miq!

Bashkëqytetarë dhe shkodranët e mi të nderuar!

Pas një reflektimi të thellë rreth situatës politike dhe zhvillimeve në PD, kam marrë vendimin për t’u tërhequr nga roli i Drejtuesit Politik për Qarkun e Shkodrës. Këtë qendrim, e kam komunikuar me drejtuesit e PD, përpara kësaj shpallje.

PD po kalon momente të vështira por unë jam i bindur se demokratet do të dinë të bashkohen shpejt, e të ringrihen së bashku.

Çfarë i afron sot anëtarët e familjes sonë të madhe politike me njëri-tjetrin është shumë më e madhe se ajo që i ndan, dhe sidomos nevoja jetike që ka vendi për një përballje të fortë me regjimin e mandatit të tretë

Mendoj se me këtë tërheqje timen, krijohen mundësi për energji dhe impulse që do t’i shërbenin PD me synim përbashkimin. E po ashtu, hapen shanse për promovimin e emrave të rinj. Do të vazhdoj padyshim të jem përfaqësues dhe deputet i Partisë Demokratike dhe do të mbroj deri në fund interesat e qytetarëve të Shkodrës e në veçanti të mbështetësve tradicionalë e historikë të së djathtës.

Ndihem çdo ditë i bekuar nga përkrahja që kam marrë dhe marr prej tyre.

Dua të falenderoj përzemërsisht, të gjithë banorët e qarkut Shkodër, demokratët e palodhur, drejtuesit e strukturave dhe bashkëpunëtorët e mi të afërt për besimin dhe mbështetjen e pakursyer përgjatë këtij rrugëtimi.

Një besim që do bëj gjithçka për ta shpërblyer.

Asnjë post, përgjegjësi e karrierë, nuk vlen sot më shumë se sa analiza, dhe shikimi në sy e me përulësi i realitetit. Për PD dhe interesat e saj, nuk është hera e parë që unë bëj një hap të tillë, duke lënë në plan të dytë ambicien personale. Bindja ime e palëkundër është se PD dhe demokratët e meritojnë të japësh për ta.

Ndërkohë, kujtojmë se sa i përket garës për “6 Marsin”, grupi ish-kryeministrit Sali Berisha ka depozituar emrat e kandidatëve për primaret në Bashkinë e Shkodrës.

Mësohet se të dielën në Shkodër do të votojë anëtarësia e PD dhe kandidatët potencialë për këtë bashki janë ish zëvendësministri i Shëndetësisë Bardh Spahia dhe kryetarja aktuale e Bashkisë Voltana Ademi.

Ndërkohë, nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur Olta Xhaçkën si të deleguarën e socialistëve për të menaxhuar zgjedhjet në Bashkinë e këtij qyteti.

Në Shkodër, PS pritet të kandidojë një grua. Majlinda Angoni, prefektja e qarkut pritet të zyrtarizohet si kandidate për Bashkinë. Kurse, emri më i kuotuar nga PD në këtë garë është Xhemal Bushati./albeu.com/