Pas problemeve me borën, Struga i rikthehet normalitetit
Pas problemeve të shumta që shkaktuan reshjet e borës dy ditë më parë, më në fund situata ka mundur të normalizohet në Strugë. Shumica e zonave rurale sërish u furnizuan me energji elektrike dhe ujë.

Pa energji elektrike ende janë fshatrat në zonat e larta malore. Në qytet dhe zonën përreth ende ka shtylla të rrëzuara elektrike, telat varur, por edhe degë të thyera të pemëve që nuk janë hequr.

Sot mësimi u ndoq vetëm në shkollat fillore në Frëngovë, Tatesh dhe Labunishtë. Struganët thonë se bora në mes të dimrit nuk duhet t’i befasojë kompetentët dhe se në kohë duhet t’i zgjidhin problemet.

"Në periudhën e dimrit, edhe institucionet duhet të jenë të lëvizshme nëse do të ketë të reshura ose jo. Por ky është mentaliteti ynë i Ballkanit, do të shohim nëse ka të reshura do të reagojmë. Sipas kësaj logjike shpesh ndodh e njëjta. Nuk pati shumë të reshura, por shkaktoi katastrofë të madhe" – thotë një qytetar.

Shumica e defekteve të nivelit të mesëm janë riparuar dhe se 80% e përdoruesve në rajon do të kenë furnizim të qëndrueshëm të energjisë elektrike. Pa energji janë vetëm edhe disa fshatra në zonat e larta malore që ishin të paarritshëm për ekipet për shkak të kushteve të motit. /albeu.com/
Shtuar më 15/02/2018, ora 16:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori