Pas 3 janarit Zaev do të jetë vetëm politikan (VIDEO)
Pas 3 janarit kryeministri Zoran Zaev do të jetë vetëm politikan. Burime nga Qeveria bëjnë të ditur se Zaev do të largohet në kuadër të formimit të Qeverisë teknike, që lë të kuptohet se 12 prilli mbetet datë për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Lidhur me ratifikimin e protokollit përfundimtar për anëtarësim në NATO dhe deponimin në Uashington, burime nga organi ekzekutiv bëjnë të ditur se deri në fund të dhjetorit do të pritet që mandatari në Spanjë, Pedro Sançez të formojë shumicë, që më pas të hapet rruga për ratifikimin e protokollit nga shteti i fundit anëtar i Aleancës veri-atlantike.

Në rast se Spanja nuk ratifikon protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut deri më 11 shkurt, ekzistojnë dy variante mbi të cilat pushteti planifikon mos cenimin e anëtarësimit në NATO. E para ka të bëj me ratifikimin e kushtëzuar i cili nënkupton që

Qeveria të propozoj Ligjin për ratifikimin e protokollit përfundimtar, por që të hyjë në fuqi pas miratimit nga Parlamenti spanjoll. Varianti i dytë mbetet thirrja e Kuvendit edhe pas shpërndarjes, praktikë kjo e cila sipas burimeve Qeveritare ka ndodhur viteve të kaluara.

Megjithatë burime nga ekzekutivi thonë se kryeministri Zaev është i mendimit që Maqedonia e Veriut të jetë vendi i fundit i cili ratifikon protokollin dhe me deponimin e tij në Uashington, në seancën e parë të NATO-s, vendi edhe zyrtarisht bëhet anëtare e 30 e aleancës.

Derisa ratifikimi përfundimtar mbetet mes dy varianteve, Qeveria të enjten do të propozojë ambasadorin e ri në NATO. Burime qeveritare bëjnë të ditur se në këtë pozitë do të propozohet koordinatori nacional për NATO në Qeveri, Dane Taleski. Njëkohësisht, ne seancën e radhës të Kuvendit pritet hapja e diskutimit për ndryshime në Ligjin për Mbrojtje, miratimi i të cilit kërkon 2/3 e votave.

Nënkryetarja e Qeverisë, Radmilla Shekerinska kërkon që opozita t’i mbështes ndryshimet ligjore dhe të mos merret me propozime si ai për ratifikim të parakohshëm. Ndryshimet ligjore synojnë përshtatjen e armatës vendase me standardet e NATO-s.

/Alsat/
Shtuar më 10/12/2019, ora 16:49

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori