Pas 15 viteve vjen liria për të akuzuarit e Sopotit
15 vjet pritën, 7 prej të cilëve në burg, për të dëshmuar pafajësinë e tyre për veprën terrorizëm për të cilën ngarkoheshin 11 banorë të fshatit Sopot.

Në mungesë të dëshmive për përfshirjen e tyre në vendosjen e minës në këtë fshat ku humbën jetën dy ushtarë polak të forcave të NATO-s dhe një shoqërues civil, Prokuroria Speciale Publike hoqi dorë nga akuza për dha la të lirë banorët e këtij fshati.

"Në analizën e përgjithshme të fakteve të nxjerra në fjalët përfundimtare dhe nga bombat që i kishim në lidhje me këtë lëndë dhe analizat që i kemi bërë në provat që i mblodhëm në procedurën parahetimore vlerësuam se sot është e drejtë të tërheqim padinë sepse nuk ka fakte se këta persona e kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkohen" – deklaroi Katica Janeva.

PSP-ja paralelisht me lirimin e tyre, vazhdon hetimin për kapjen e autorëve të vërtetë të kësaj vepre, duke hapur madje edhe hetim ndërkombëtar.

"Një pjesë e lëndës është ende në parahetim, bëhet fjalë konkretisht për ndihmë ndërkombëtare. Ne kemi në parahetim një teori tjetër të rastit të cilën e hetojmë" – u shpreh Katica Janeva.

Avokati Naser Raufi tha se vendimi i PSP-së vërteton atë që pala mbrojtëse ka thënë që nga fillimi se tërë procesi ka qenë i montuar.

"Tërheqja e aktakuzës nga Prokuroria Speciale sipas meje është e një niveli shumë të lartë profesionalisht. Praktikisht, me këtë arsyetim u dëshmua që e gjithë kjo procedurë që zgjati 15 vjet ka qenë një montim nga ana e shërbimit sekret" – tha avokati Naser Raufi.

Avokati Vullnet Paçuçu paralajmëron procedurën e dëmshpërblimit për të gjithë të akuzuarit, duke kërkuar që kjo procedurë mos të zvarritet dhe të harrohet nëpër sirtarë të Ministrisë së Drejtësisë.

"Prej sot të akuzuarit janë të lirë dhe ky proces ka mbaruar. Shpresoj që mos të humbin edhe shumë vite të akuzuarit nëpër labirinte gjyqësore që të marrin dëmshpërblimin e merituar. Procedura parashikon që në këto raste së pari ti drejtohemi Ministrisë së Drejtësisë dhe shpresojmë dhe jemi të bindur që Ministria e Drejtësisë në aftin prej 3 muajsh do të dal me një propozim marrëveshje për dëmshpërblimin e të gjithë të akuzuarve në këtë rast" – theksoi avokati Vullnet Paçuku.

11 banorët e Sopotit ishin dënuar me mbi 156 vjet burg vetëm në bazë të dëshmisë së bashkëfshatarit të tyre Ramadan Bajrami, dëshmi kjo e siguruar nëpërmjet ushtrimit të dhunës ndaj tij nga inspektorë të policisë. Kjo madje u dëshmua edhe në seancat e fundit për këtë proces kur dëshmuan edhe gjashtë agjentë të DSK-së. Që policia kishte tejkaluar kompentencat në këtë rast kishte vërtetuar edhe komisioni parlamentar i ngritur për këtë çështje, ndërsa për pafajësinë e banorëve kishte folur edhe ish ambasadori i NATO-s Nikollas Bigman.


Shtuar më 19/03/2018, ora 16:29

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori