Partitë opozitare shqiptare refuzojnë modelin DOS
Partitë opozitare shqiptare në Maqedoni refuzojnë bashkëveprimin opozitar me partitë opozitare maqedonase sipas stilit të DOS-it serb. PDSH, RDK dhe DR janë shprehur kundër këtij projekti të unifikimit të opozitës së përgjithshme në Maqedoni edhe në baza etnike, për shkak se një projekt i tillë nuk korrespondon me kërkesat dhe programet partiake shqiptare, raporton INA.

“Besoj që ne do i përgjigjemi pozitivisht çdo ftese për bisedë dhe dialog edhe opozitës maqedonase megjithëse ne kemi dallime shumë të mëdha në koncept, opozita shqiptare dhe ajo maqedonase. Nuk jam optimist se për diçka do merremi vesh. Nuk dua askënd ta vlerësoj për politikën e vetë, po dua të jap një porosi nga PDSH-ja, ne asnjëherë nuk do bëhemi BDI, PPD, forcë politike e cila, i nënshtrohet konceptit maqedonas”, ka theksuar kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.

RDK ka shprehur qëndrimin e saj se nuk është për një front të përbashkët opozitar midis partive shqiptare dhe maqedonase.

“Këto janë çështje të politikave partiake të LSDM-së për ta forcuar pozitën e vet në skenën politike. Në parim, megjithëse RDK nuk është kundër bashkëpunimeve ndërpartiake, ajo është e mendimit se një front i tillë në opozitë, si front i përbashkët mes partive maqedonase dhe atyre shqiptare është i pamundur, pos të tjerash, edhe për shkak të ndryshimeve të mëdha në qëndrime për çështje kardinale që kanë të bëjnë me shqiptarët”, ka vlerësuar RDK.

Demokracia e Re gjithashtu është shprehur kundër këtyre skenarëve që lansohen nga mediat maqedonase të afërta me opozitën. “Ne nuk përkrahim agjenda të tilla, sepse ato janë të parealizueshme duke parë rrethanat reale dhe hendekut e thellë midis kampit politik maqedonas dhe shqiptarë. Prioriteti ynë mbetet unifikimi i opozitës shqiptare me një qasje serioze dhe kontratë mirëbesimi dhe respekti, për të çuar zhvillimet dhe çështjet shqiptare përpara”, theksojnë nga DR.

Lidhja Social Demokrate (LSDM) e udhëhequr nga Branko Cervenkovski ka lançuar projektin e unifikimit të opozitës sipas stilit të opozitës së kaluar serbe DOS, e përbërë nga forca demokratike, që më pas erdhën në pushtet në Serbi. Deri tani rreth LSDM janë tubuar vetëm forca të vogla të koalicionit, përfshirë edhe disa parti të komunitetit rom, turq dhe vlleh, përfundon raportimin e saj Agjensia e Lajmeve INA. /albeu.com/
Shtuar më 03/04/2012, ora 10:33

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori