Partitë do zgjidhin statusin e UÇK-së
Prioriteti i partive politike shqiptare në këto zgjedhje është zgjidhja statusit të UÇK-së. Për BDI-në zgjidhja e kësaj çështje është primare dhe ajo do të jetë pjesë e marrëveshjes me partitë tjera për të qenë pjesë e koalicionimit qeveritar.

Edhe në PDSH theksojnë se çdo votë për partinë e tyre do ti jap fuqinë për të zgjidhur të gjitha çështjet e ngelura, duke përfshirë edhe statusin e UÇK-së.

"Ne sigurisht se kemi për bazë edhe këtë problematik për ta mbyllur dhe për ti dhënë fund, sepse zvarritja e vazhdueshme më shumë ka goditur familjet dhe invalidët e UÇK-së, të cilët janë të zhgënjyer me vite të tëra", thuhet nga PDSH-ja.

Demokracia e Re thekson se zgjidhja e statusit është pjesë e parakushteve që do të duhet të zgjidhen brenda 100 ditëshit të parë të qeverisjes së ardhshme.

Bashkimi Demokratik Shqiptar (BDSH) nënvizon se çështje e parë mbetet statusi i familjeve dhe dëshmorëve të UÇK-së. "Ne kërkojmë barabarësi për zgjidhjen e kësaj çështje që të kemi një status të barabartë duke krahasuar me atë që ka përfituar pala tjetër në konflikt. Përveç kësaj, ne angazhohemi për lirimin nga burgjet të të gjithë ish-pjestarëve të UÇK-së që janë në burgje si pasojë e proceseve të montuara politike", theksohet në platformën e BDSH-së, shkruan INA.

Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) thekson se ka propozimin e zgjidhjes së kësaj çështje, ashtu siç kanë përfituar të ashtuquajturit "branitellat" maqedonas. /albeu.com/
Shtuar më 19/05/2011, ora 11:09

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori