Parlamenti miraton Deklaratën për NATO
Parlamenti maqedonas
Parlamenti i Maqedonisë miratoi sot Deklaratën për reafirmimin e realizimit të qëllimit strategjik për anëtarësimin e vendit në NATO. Deklarata e propozuar nga dy partitë e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI është mbështetur nga të gjitha partitë politike parlamentare, përveç deputetëve të PDSH-së, raporton INA.

Në këtë deklaratë theksohet se integrimi i Maqedonisë në NATO duhet të jetë përcaktimi kryesor politik dhe si kontribut i të gjitha forcave politike, shoqërisë civile dhe qytetarëve, të cilët me aktivitetet e tyre ndikojnë në dinamikën dhe realizimin e këtij procesi.

Me këtë deklaratë bëhet thirrje që të respektohet parimi i dyerve të hapura nga NATO, dhe nënvizohet se vendi ka plotësuar të gjitha kriteret dhe kushtet për anëtarësim.

"Maqedonia mbetet e përkushtuar për reformat dhe mbështetjen e operacioneve paqësore për sigurimin e paqes globale dhe demokracisë", thuhet në deklaratë.

Me deklaratën gjithashtu kërkohet që fokusi i zgjerimit dhe pranimit të Maqedonisë të reflektohet edhe në Samitin e radhës të NATO-s në muajin maj në Çikago.

Por, deputetët e grupit parlamentar të PDSH-së nuk votuan deklaratën. Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Imer Aliu theksoi se nuk kanë përkrahur deklaratën për shkak se sipas tyre ajo është një demagogji e zbrazët.

"Nuk e dij se ku e shohin arsyetimin e kësaj deklarate, kur dihet se kusht për anëtarësimin në NATO mbetet që Maqedonia të ndrrojë emrin", theksoi deputeti Aliu, duke shtuar se me këtë Qeveria po mundohet që të fshehë paaftësinë e saj për të gjetur zgjidhje për emrin. /albeu.com/
Shtuar më 25/04/2012, ora 19:03

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori