Parlamenti i Maqedonisë, notë mesatare nga qytetarët
Pëlqej
Parlamenti maqedonas
Në një anketë të realizuar nga Instituti për Demokraci në bashkëveprim me Fondacionin Venstminster për demokraci, mbi 1.105 të anketuar kanë dhënë vlerësimin lidhur me punën dhe efikasitetin e institucionit legjislativ.

Vlladimir Misev nga Instituti për Demokraci theksoi se për dallim nga viti 2009, gjatë këtij viti është ulur shkalla e vlerësimit të punës së Parlamentit, sidomos për shkak të ngjarjeve të fundit lidhur me incidentin midis partive, bojkotin e Parlamentit nga disa parti politike, mosfunksionimin e komitetit për marrëdhënie ndëretnike si dhe probleme të tjera.

Mbi 41 për qind e qytetarëve e kanë vlerësuar si pjesërisht efikase punën e Parlamentit, 26,7 për qind e vlerësuan si plotësisht joefikase punën e këtij institucioni.

Anketa bën të ditur se gjysma e qytetarëve nuk janë të kënaqur me deputetët e tyre që i përfaqësojnë. Mbi 50,8 për qind e qytetarëve vlerësojnë se nuk janë aspak të kënaqur me deputetin e njësisë së tyre zgjedhje dhe se ai nuk është i pranishëm në takimet me qytetarët, ndërsa 38 për qind kanë dhënë vlerësim pozitiv për deputetët e zonave të tyre.

Instituti për Demokraci vlerëson se në bazë të anketës, ende ekziston një pasqyrë negative sa i përket qasjes së deputetëve tek qytetarët apo elektorati i tyre.

Mbi 55 për qind e qytetarëve vlerësojnë se Parlamenti është i hapur për opinionin, 37,5 për qind kanë mendim të kundërt.
Shtuar më 18/11/2010, ora 19:18
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori