Paratë për Parlamentin Studentor, USSH kundër vendimit të USHT-së
Pëlqej
Unioni Studentor Shqiptar reagon ndaj vendimit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, për të detyruar studentët që të paguajnë nga 100 denarë në vit për Parlamentin Studentor. Nga kjo organizatë thonë se gjepi edhe ashtu i rënduar i studentëve, nuk duhet ngarkuar më tepër për një parlament që moti ka rënë në duar të politikës dhe nuk vepron sipas qëllimit për çka është krijuar.

Kreu i Unionit Studentor Daim Luçi, tha për Alsat M se nuk do të lejojnë që paratë e studentëve të shkojnë në një parlament jo funksional, dhe të politizuar. Ai pyet se ku shkojnë këto para kur dihet se ky parlament studentor i shërben vetëm interesit politik.

"Në parim nuk jemi që të mos ketë pagesë mirëpo kur bëhet fjalë për një Parlament Studentor i cili është jo funksional, dhe faktikisht është nën direkcion apo nën ingerenca të disa personave të tjerë apo organeve udhëheqëse të universitetit të cilët kryekëput janë në shërbim të politikës qeveritare, faktikisht partisë qeveritare e cila është në pushtet. Me këtë edhe më shumë rëndohen studentët shqiptar këtu tek ne", tha Daim Luçi, kryetar i Unionit Studentor Shqiptar, citon Alsat-M.

Unioni studentor kërkon reforma urgjente në USHT edhe atë duke filluar nga rektorati e deri tek profesorët, me qëllim që të përmirësohet imazhi i keq që ka marr tashmë USHT-ja.

Përveç reagimit për mbledhjen e parave, studentët reagojnë ashpër edhe për bastardimin e gjuhës shqipe nga ky Institucion i lartë arsimor. /albeu.com/
Shtuar më 13/09/2014, ora 16:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori